Mesfushori i Bjellorusisë, Valeri Gromiko, ka dhënë një mesazh të qartë përpara përballjes së fundit me Shqipërinë në Grupin C1 të Ligës së Kombeve.
Futbollisti bjellorus beson se skuadra e tij ka një avantazh ndaj kuqezinjve në këtë sfidë, duke shprehur optimizëm për atë që ekipi i tij mund të arrijë në këtë përballje.
“Jemi në humor të mirë pas ndeshjes ndaj San Marinos. Do të luajmë për fitoren ndaj Shqipërisë.
Për ne është më e thjeshtë, pasi ne jemi në ndjekje. Shqiptarët kanë një peshë më të rëndë të përgjegjësisë. Ata do të jenë më nervozë, pasi nëse do të bëjnë një gabim, ne mund t’i marrim vendin e parë.
Unë personalisht preferoj ndeshje të një koeficienti vështirësie më të lartë. Gjëja më e vështirë e kësaj ndeshje? Nuk është e lehtë të thuhet. Ata kanë një ekip të mirë. Ne jemi të ndërgjegjshëm që mund të kishim luajtur më mirë ndaj tyre në ndeshjen e parë. Tani duam që të kompensojmë për atë ndeshje”, u shpreh mesfushori.
