Buxheti i vitit 2027 parashikon masa të reja mbështetëse për çiftet e reja, duke synuar lehtësimin e aksesit në financim për banesën e parë, përmes kredive me interesa të subvencionuara dhe bonusit të qirasë për ata që nuk kanë ende mundësi të blejnë një shtëpi.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se përmes paketës së re të strehimit social do të vihen në dispozicion 4 mijë kredi të lehtësuara për çiftet e reja që synojnë të blejnë banesën e tyre të parë.
Sipas skemës së parashikuar, 2 mijë kredi do të ofrohen me interes 0% për blerjen e apartamenteve me vlerë deri në 6 milionë lekë të reja, ndërsa 2 mijë kredi të tjera do të kenë normë interesi 3%, për banesa me vlerë mbi këtë kufi.
Kostot e interesit të kredive do të mbulohen nga qeveria, duke synuar të reduktohet barra financiare për çiftet e reja dhe të lehtësohet mundësia e përfitimit të banesës së parë.
Gjithashtu qeveria ka parashikuar bonus qiraje për çiftet e reja që nuk kanë ende mundësi të blejnë një banesë, për t’i ndihmuar çiftet e reja të përballojnë më lehtë shpenzimet e strehimit.
Synimi është që më shumë të rinj e të reja të kenë mundësi të krijojnë familjen e tyre, të kenë një strehë të sigurt dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.


