Një studim i ri ka zbuluar se si vaksinat mRNA kundër COVID-19 mund të shkaktojnë inflamacion të zemrës, duke identifikuar procesin që çon në dëmtimin e muskulit kardiak.
Studimi është kryer nga shkencëtarë të Universitetit Stanford në SHBA dhe është publikuar në revistën “Science Translational Medicine”. Studiuesit zbuluan se pas vaksinimit, sistemi imunitar mund të aktivizojë dy proteina, CXCL10 dhe interferon-gama, të cilat nxisin një reagim inflamator që dëmton qelizat e zemrës.
Në eksperimentet e kryera, shkencëtarët vunë re se bllokimi i këtyre dy proteinave reduktonte dëmtimin e zemrës. Ky zbulim ndihmon në shpjegimin e një prej efekteve anësore të njohura të vaksinave mRNA të Pfizer dhe Moderna: miokarditin, ose inflamacionin e muskulit të zemrës.
Ky komplikacion është vërejtur më shpesh te meshkujt e rinj dhe adoleshentët, veçanërisht pas dozës së dytë. Në raste të rënda, miokarditi mund të shkaktojë probleme serioze me funksionimin e zemrës dhe, në raste të rralla, të përfundojë me vdekje.
FDA shqyrton vdekjet e dyshuara nga vaksinat
Ndërkohë, në SHBA, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka shqyrtuar raportime për vdekje që mund të kenë lidhje me vaksinimin kundër COVID-19.
Në nëntor 2025, Vinay Prasad, drejtues i sektorit të vaksinave në FDA, deklaroi se një analizë fillestare kishte identifikuar të paktën 10 fëmijë, vdekjet e të cilëve dyshohej se mund të lidheshin me vaksinimin.
Një shqyrtim i mëvonshëm i 96 raportimeve për vdekje fëmijësh identifikoi shtatë raste ku lidhja me vaksinimin u vlerësua e mundshme. Të gjitha rastet përfshinin probleme me zemrën. Megjithatë, këto vlerësime nuk provojnë përfundimisht se vaksinat shkaktuan vdekjet.
Në qershor 2025, FDA kërkoi gjithashtu përditësimin e paralajmërimeve për vaksinat Pfizer dhe Moderna, duke përfshirë informacion mbi rrezikun e miokarditit dhe perikarditit, inflamacionit të cipës që rrethon zemrën.
Në dhjetor të po atij viti u diskutua edhe mundësia e vendosjes së paralajmërimit më të rëndë të sigurisë, të njohur si “Black Box Warning”. Megjithatë, komisioneri i FDA-së, Marty Makary, deklaroi se institucioni nuk kishte plane për ta vendosur atë.