Një tjetër sukses i rëndësishëm për nxënësin Loris Qose nga Cërriku, i cili ka arritur të fitojë medaljen e 12-të në karrierën e tij, këtë herë të artë, në kompeticionin ndërkombëtar ASEF 2026.
Qose është shpallur fitues i çmimit Gold Award në kategorinë Histori–Gjeografi, me projektin kërkimor të titulluar “Harmonia e Kozmosit: Arkitektura Hapësinore dhe Mekanika Orbitale e Sistemit tonë Diellor”.
Pas këtij vlerësimi, nxënësi ka ndarë emocionet përmes një postimi, ku ka falënderuar mbikëqyrësen e projektit, Denada Canaj, akademiket Mimoza Hafizi dhe Elisabeta Peti për mbështetjen shkencore, si dhe mësuesen e matematikës, Flutura Hoxholli.
Ky nuk është suksesi i parë ndërkombëtar për nxënësin e shkollës “7 Marsi” në Cërrik. Ai është vlerësuar më herët me vendin e parë në Matematikë dhe vendin e tretë në Kimi në olimpiadën ndërkombëtare “Neo Science Olympiad”, të zhvilluar në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me medaljen e 12-të, Loris Qose vijon të dëshmojë rezultatet e tij në garat ndërkombëtare, duke e kthyer pasionin për dijen dhe kërkimin shkencor në një histori suksesi.
