TVSH e lartë dhe euro e dobët, biznesi paralajmëron rritje çmimesh dhe humbjen e konkurrueshmërisë

18:04, 15/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Komuniteti i biznesit ka reaguar me shqetësim ndaj planeve të qeverisë për rritjen e TVSH-së për hotelet dhe strukturat akomoduese nga 6 % në 10 %. Ata thonë se ky vendim godet konkurueshmërinë e Shqipërisë në këtë sektor dhe paralajmërojnë rritjen e çmimeve.

SYRI TV

Pas gati një dekade me TVSH të reduktuar prej 6%, hotelet dhe strukturat e tjera akomoduese në Shqipëri pritet të përballen me një normë më të lartë tatimi. Qeveria ka propozuar që, nga 1 janari 2027, TVSH-ja për akomodimin të rritet në 10%, një ndryshim nga i cili llogarit të arkëtojë 593 milionë lekë shtesë në buxhet.

Sic shkruan revista ekonomike Monitor, masa, e përfshirë në Paketën Fiskale 2027, prek një nga lehtësitë kryesore që iu dhanë sektorit në vitin 2017, kur ulja e TVSH-së në 6% u përdor si instrument për nxitjen e turizmit.

Norma e re do të zbatohet për shërbimet e akomodimit, por edhe për të gjitha shërbimet që ofrohen brenda hoteleve dhe resorteve me pesë yje, me status special, që operojnë nën marka të njohura ndërkombëtare.

Për qeverinë, argumenti kryesor është se turizmi nuk ndodhet më në të njëjtën fazë zhvillimi si në kohën kur u miratua lehtësia fiskale. 

Por përfaqësuesit e industrisë turistike e shohin ndryshe nga qeveria momentin e zgjedhur për rritjen e TVSH-së.

Për ta, ndryshimi nuk vjen në një treg që ka kapërcyer vështirësitë e zhvillimit, por në një periudhë kur zhvlerësimi i euros kundrejt lekut, rritja e pagave dhe e shpenzimeve të përditshme po pakësojnë të ardhurat dhe marzhet e fitimit. Shqetësimi është se fatura e re fiskale do të rëndojë pikërisht mbi avantazhin me të cilin Shqipëria ka konkurruar deri tani: çmimin.

“Vendimi për rritjen e TVSH-së në akomodim nga 6% në 10% është një goditje direkte ndaj konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar në Ballkan”, thotë i cituar nga Monitor, Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit.

Ai e kundërshton edhe kohën e propozimit, duke përmendur, ndër të tjera, zhvlerësimin e euros me mbi 40% këto katër vitet e fundit, dyfishimin e pagave të fuqisë punëtore dhe shtrenjtimin e lëndëve të para që e shtojnë barrën. Ai sjell në vëmendje se lëvizja e fundit do t’i vendosë hotelet formale përballë detyrimeve të reja dhe një konkurrence të padrejtë me një numër të madh apartamentesh me qira ditore që, sipas tij, nuk janë formalizuar plotësisht.

Efekti, sipas përfaqësuesve të sektorit, nuk kufizohet vetëm te një sezon turistik, por te planet afatgjata të biznesit. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco