Opinion/ Fakte pse “protesta” do të krijojë dhjetë parti të reja dhe rivale kundër njëra-tjetrës?
Nga Kreshnik Spahiu
“Ma kollaj asht me mbushun një thes me pleshta sesa me i ba bashkë dy shqiptarë”. Fishta e ka shkruar këtë varg në veprat e tij për të kritikuar me ironi mungesën e unitetit, inatet personale dhe vështirësinë që kanë shqiptarët për të gjetur gjuhën e përbashkët për çështje të mëdha.
Që nga fillimi i protestave të flamingove, kushdo që i këshillonte protestuesit të strukturoheshin në një lëvizje të re politike anatemohej si njeri i Ramës apo kundërshtar i protestës. Madje, bullizohej edhe me sharje.
Realisht ekzistonte një fakt i dyshimtë në protestë mes kërkesës së tyre për dorëheqjen e Ramës dhe refuzimit për të nxjerrë liderin e tyre si kandidat për kryeministër. Fillimisht kjo dukej naivitet por kohe po tregon se ishin me mision.
Ata donin të shkonin në zgjedhje vetëm me logot PD-PS dhe me dy kandidatë: Rama dhe Berisha.
Refuzimi për të krijuar një listë të tyre rivale në zgjedhje, njësoj si studentët e Beogradit, ishte i palogjikshëm, por shumë shpejt do të marrë kuptim.
Ata do të bëjnë pikërisht atë që duan Edi Rama dhe Sali Berisha: do të krijojnë disa parti opozitare të përçara.
Të dyve nuk u interesonte krijimi i një partie, por i disa partive të reja, të cilat do të luftojnë njëra-tjetrën.
Pesë partitë e para shpallen këto ditë dhe pesë të tjera në janar:
* “Partia Diaspora”
* “Partia Shqipëria e Lirë”
* “Partia Nacionaliste”
* “Partia Islamiste Demokratike”
* “Lista Studentore”
* “Partia Flamingo”
* “Partia Ambientaliste e Gjelbër”
* “Partia Shqipëria e Re”
* “Lëvizja Intelektuale Shqiptare”
* “Forca Shqipëria”
Zyrtarisht, pesë partitë e para kanë filluar procedurat, por ende kanë sherre mes tyre se kush do të jetë kryetari.
Nuk përjashtohet mundësia që, deri në zgjedhjet e vitit 2029, këto dhjetë parti të reja të ndahen në disa fraksione dhe të bëhen 20 ose 30 parti.
Ka shumë naivë që thonë: “Boll të largohet Rama dhe Berisha, le të vijë një qen apo një mace në krye”.
Në fakt, po ndodh e kundërta: Rama dhe Berisha po vazhdojnë rrugëtimin e tyre të qetë dhe të sigurt, duke ndryshuar sistemin zgjedhor me 101 deputetë dhe me lista të hapura në proporcional kombëtar.
Kjo nënkupton që pragu minimal për të hyrë në parlament do të bëhet 5% dhe se për të hyrë në Kuvend do të duhen minimalisht 150.000 vota.
Atëherë do ta kuptojmë se protesta, edhe sikur t’i mbushë listat me qen dhe mace, nuk do të ketë asnjë shans që, me dhjetë parti të reja opozitare, të shkelë ndonjëherë në Kuvend.
Me sa duket, ka ardhur koha që disa prej protestuesve t’i heqin maskat dhe populli të kuptojë se ata nuk janë një thes me pleshta, si në vargjet e Gjergj Fishtës, por disa morra të kuq, të cilët, për të qenë të parët, do të krijojnë dhjetëra parti vetëm e vetëm që të bëhen kryetarë, pa na sjellë asnjë ndryshim nga dy kalorësit Rama-Berisha.
Fatkeqësisht “revolucioni” anti-establishment po çon ujë në mullirin e Ramës dhe Saliut.
Dhjetra mullixhinj të rinj po kopjojnë medelin e shëmtuar të xhaketave të vjetra.
Ata nuk prodhuan as lider dhe as lëvizje sepse liderët nuk krijohen por lindin të tillë që ditën e parë nga nevoja dhe kriza për ndryshim.
5 muaj mjaftuan për të kuptuar që mes tyre nuk kishte udhëheqës të lindur por disa specie të modifikuara gjenerikisht në laboratorët e atyre që ende nuk duan një Shqipëri të re.
/Shqip.com