Kjo ishte përgjigja e parë që Zoti i PS-së Edi Rama i dha sfidimit të autoritetit vetjak nga Mamica e tij. Por nuk e hodhi në votim këtë vendimmarrje të njëanshme, edhe pse padyshim që do ta kishte fituar shumicën kundër targetit të luftës së brendshme. Nuk e bëri sepse u ndruajt jo nga numrat absolutë që do të siguronte, por nga ca pak duar që do të ngriheshin kundër vullnetit të tij. Tre, katër apo edhe dhjetë të tillë në sallën e asamblesë, do të ishin shenja e kristalizimit të një bërthame të parë, që nesër, në rrethana të tjera, mund të rritej më tej. Kjo ishte një lëvizje që synonte të paralajmëronte efektin, por pa shkaktuar pasojën direkte. Dhe kryeministri e di mirë që magjia e dikurshme me të cilën i imponohej partisë është helmuar me pëshpërima, është mbarsur me vrer parandjenjash, është përzjerë me llogari të ndryshme nga llogaritë e tij dhe ka lindur idenë se abdikimi i Mbretit, nuk është me domosdo as qameti dhe as humbja e pushtetit.
Rama u soll krejt ndryshe me Erion Veliajn. Ai vendosi ta kursejë kryetarin e bashkisë që tashmë po kërkon hapur largimin e tij me një arsyetim gjysëm sentimental: Erioni i ka duart e lidhura! Domethënë, ka edhe arsyetimin e mjegulluar, edhe është në fatkkeqësi. Çdo veprim kundër tij, do të kishte efekt të kundërt, dëmi i pasojës do të tejkalonte përmasat që dikton shkaku. Reaksioni parë do të ishte viktimizimi i mëtejshëm i të paraburgosurit të Fierit, “emërimi” i tij si sfidues të autoritetit të tij dhe mund të krijonte kosto të paparashikuara nga beteja me dikë që tashmë nuk ka asnjë më për të humbur. Fantazma zvicerane e Arben Ahmetajt ndodhej gjithashtu në atë mbledhje.
Akti i parë politik i Ramës që nga qershori i nxehtë i Flamingove ishte paketa fiskale. Më herët, në fund të verës, ai shpiku Pasqyrat. Njëlloj “tregtie” politike që i ngjante pazarit të dikurshëm të kolonizatorëve evropianë me indigjenët e Amerikës: pasqyra e rruaza shumëngjyrëshe në këmbim të arit. Rama dhuroi pasqyrat e tij për t’i këmbyer rishtaz me minierën e arit, që në Shqipëri quhet pushtet. Por ky ishte vetëm Make Up. Më pas erdhi paketa fiskale, tentativa më serioze për të treguar vullnet ideologjik e për t’u zhvendosur në të majtë të spektrit. Duke premtuar të rilindë nën getat e Robin Hudit, që ju merrte paratë të pasurve dhe jua ndante të varfërve. Në dukje ishte pikërisht kështu, në thelb mbetet të verifikohet,
Përjashtimi i Spiropalit është akti i dytë politik i tij. Me gjasë në mos i kërkuar, i dëshiruar nga shemra e saj, Belinda Balluku që tashmë është nën bela serioze. Edhe pse pretendon se zotëron dhe komandon edhe një dyzinë e ca kartona deputetësh në Kuvend.
Në asamblenë socialiste Rama morri hua mjetet e paraardhësit e tij. Berisha ka shkëlqyer si askush tjetër në zejen tipike shqiptare të përjashtimit. Doktorit i ka dalë për mbarë mekanizmi i përjashtimit të kundërshtarëvve. Ato vërtet ja kanë bërë më të vogël në vite partinë, por kanë përqëndruar dhe forcuar kontrollin e liderit veteran mbi të. Për paradoks, fitorja më domethënëse e Berishës ka qenë pikërisht kur bëri të kundërtën: në vend të përjashtimit, afroi bashkimin në diversitet. Ky është leksioni që ndoshta Rama duhet ta mësojë nga historia. Kohët ndryshojnë, por zakonet zenë e njehsohen. Dhe tashmë Rama ka gjithmonë e më pak kohë, ka gjithmonë e më shumë hapësira të ngushta për të kryer akte politike. Me partitë në lëngatë dhe qeverisjen e topitur, me zemëratën e dalë në rrugë dhe rrugët që nisin e mbyllen njëra pas tjetrës, nga vetmia e tij gjithmonë e më e thellë, Rama sheh sesi anonimët e rinj që ka rrotull, kanë nisur të sillen si pleqtë në dimër: Bli ditë e rro! Dhe kupton që nuk i hyjnë më në punë për asgjë. Janë vetëm tatuazhe që nuk mbulojnë dot rrudhat.










