Qytetarët dhe studentët janë mbledhur sërish këtë të diel përpara Kryeministrisë, në ditën e 169-të të protestës kundër qeverisë së Edi Ramës. Tubimi i sotëm vjen një ditë pas protestës kombëtare të së shtunës, e cila nisi përpara Ministrisë së Arsimit dhe u zhvendos më pas në disa nga akset kryesore të Tiranës. Protestuesit vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, duke e cilësuar largimin e tij si të panegociueshëm.

Protesta e së shtunës, në ditën e 168-të të lëvizjes, ishte thirrur në orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit, në kuadër të strategjisë së organizatorëve për zhvillimin e dy protestave kombëtare në javë, çdo të mërkurë dhe të shtunë. Studentëve u ishte bashkuar edhe mbështetja e pedagogëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve nga diaspora.

Fillimisht, protestuesit qëndruan përpara Ministrisë së Arsimit, ku gjatë tubimit u shpalos edhe pankarta me mesazhin “Ne nuk harrojmë”. Gjatë protestës, një grup të rinjsh i vunë flakën një koshi mbeturinash, ndërsa në shesh u dëgjuan thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe klasës politike, mes tyre edhe “Arrestoni Ramën, arrestoni Berishën!”
Pas qëndrimit përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit nisën marshimin në rrugët e kryeqytetit. Ata kaluan në zonën e Zogut të Zi dhe më pas drejt 21 Dhjetorit, ku u regjistruan incidente dhe dëmtime të reklamave përgjatë rrugës. Gjatë marshimit, disa prej protestuesve thyen tabela reklamuese, ndërsa lëvizja u shoqërua me thirrje kundër qeverisë.

Pas disa orësh marshimi, protestuesit u rikthyen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë. Gjatë zhvillimeve u shtuan edhe forcat e policisë, të cilat u pozicionuan në zonën përreth institucioneve, përfshirë godinën e Kryesisë së Kuvendit.

Në thelb të protestës vijojnë të jenë kërkesat për dorëheqjen e Edi Ramës, ndërsa studentët kundërshtojnë ofertat e qeverisë për dialog, duke këmbëngulur se largimi i kryeministrit është kusht i panegociueshëm. Ndër sloganet që kanë shoqëruar protestat janë “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Rama jep dorëheqjen”, “Studentët kërkojnë revolucion” dhe “Diploma nuk është biletë emigrimi”.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb