Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Avantazhi që Shqipëria nuk e reklamon

    Shqipëria luan “finale”/ Kuqezinjtë në avantazh ndaj Bjellorusisë

    Vetëm 46 metra për t’u ngritur në ajër, avioni që mund të ndryshojë udhëtimet ajrore

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home » Avantazhi që Shqipëria nuk e reklamon
    Opinion

    Avantazhi që Shqipëria nuk e reklamon

    November 15, 2026

    Energjia për biznesin kushton një çerek më pak se në Bashkimin Evropian dhe më pak se në çdo vend anëtar të Ballkanit. Pak investitorë e dinë.

    Bekim Besimi

    Kur një investitor industrial mat vendet e Ballkanit me njëri-tjetrin, pyet për pagat, për taksat dhe për largësinë nga porti. Fatura e energjisë vjen zakonisht në fund të listës, si një zë që supozohet i ngjashëm kudo. Supozimi është i gabuar, dhe gabimi i kushton më shumë Shqipërisë sesa kujtdo tjetër.

    Në gjysmën e parë të vitit 2026, sipas Eurostatit, një biznes i mesëm në Shqipëri pagoi 13.37 cent për kilovatorë, pa TVSH. Matja vlen për konsumatorët jo-familjarë me konsum vjetor nga 500 deri në 2,000 megavatorë, kategoria ku bie pjesa më e madhe e industrisë së lehtë, e përpunimit ushqimor dhe e shërbimeve të mëdha. Mesatarja e Bashkimit Evropian për të njëjtën kategori ishte 18 cent. Shqipëria qëndron 26 për qind më poshtë.

    Një fabrikë që harxhon 1,000 megavatorë në vit paguan 133,700 euro në Shqipëri dhe 180,000 euro në një vend mesatar të Unionit. Në Itali, partnerin kryesor tregtar të Shqipërisë, e njëjta fabrikë paguan 225,300 euro. Të njëjtat makineri, me të njëjtin konsum, kushtojnë 91,600 euro më pak në vit në bregun lindor të Adriatikut.

    Italia, me 22.53 cent, është e treta më e shtrenjtë në Union, pas Irlandës me 26.66 dhe Qipros me 23.06. Biznesi irlandez paguan gati dyfishin e atij shqiptar. Shqipëria paguan afërsisht sa Danimarka, Spanja dhe Portugalia, tri ekonomi që Eurostati i rendit ndër më të lirat e BE-së për energjinë e biznesit. Më poshtë në Union janë vetëm Suedia me 11.77 cent dhe Finlanda me 9.28.

    Asnjë vend i BE-së në Ballkan nuk i ofron biznesit energji më të lirë se Shqipëria. Rumania, me 18.54 cent, e ka kaluar mesataren e Unionit dhe është 28 për qind më e shtrenjtë. Greqia paguan rreth 17 cent, afërsisht një të pestën më shumë. Kroacia është në 16.10 dhe Sllovenia në 14.63. Edhe Bullgaria, prej vitesh adresa e energjisë së lirë në BE, sot paguan 14.52 cent, mbi një cent më shumë se Shqipëria.

    Shqipëria del më e lirë edhe se Serbia, ekonomia më e madhe e Ballkanit Perëndimor dhe rivalja kryesore për investimet industriale në rajon. Biznesi serb paguan 15.28 cent. Diferenca prej gati dy centësh i kushton fabrikës së shembullit tonë 19,100 euro në vit.

    Më lirë se Shqipëria në gjithë gadishullin janë vetëm tri vende: Bosnja dhe Hercegovina me 11.86 cent, Maqedonia e Veriut me 11.83 dhe Mali i Zi me 8.92. Nga dhjetë vendet e Ballkanit për të cilat Eurostati ka të dhëna, gjashtë paguajnë më shumë se Shqipëria, dhe ndër to janë të gjitha ekonomitë e mëdha të rajonit.

    Kosova mungon në statistikën e këtij gjashtëmujori. Që nga qershori 2025, bizneset kosovare me mbi 50 punëtorë ose mbi 10 milionë euro qarkullim blejnë energji në treg të hapur. Një prodhues nga Prizreni bëri publike këtë nëntor faturën e fabrikës së tij: 157,884 euro për 505,974 kilovatorë. Pa TVSH, çmimi del 28.89 cent, mbi dyfishin e atij shqiptar. Shifra vjen nga një faturë e vetme dhe jo nga një mesatare kombëtare, por është ajo që fabrika pagoi atë muaj.

    Në Bullgari, energjia për biznesin u shtrenjtua 14.2 për qind brenda dymbëdhjetë muajsh. Në Rumani, rreth 7.9 për qind në euro. Mesatarja e BE-së ra 5.4 për qind dhe mbetet ende 4.6 cent mbi Shqipërinë.

    Shqipëria e prodhon energjinë elektrike pothuajse tërësisht nga uji. Për një eksportues që shet në Evropë, ku blerësit pyesin gjithnjë e më shpesh me çfarë energjie është prodhuar malli, kjo është një kartë që pak vende të rajonit e mbajnë në dorë.

    Nga të gjitha kostot e një fabrike, energjia është ndër të paktat që një investitor mund ta llogarisë përpara se të vijë. Sot ajo llogari del në favor të Shqipërisë: një çerek më lirë se Evropa, më lirë se çdo anëtar i BE-së në Ballkan, më lirë se Serbia.

    Avantazhi ekziston. I mungon vetëm reklama.

    Avantazhi bekim besimi reklamon Shqipëria
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Avantazhi që Shqipëria nuk e reklamon

    November 15, 2026

    Shqipëria luan “finale”/ Kuqezinjtë në avantazh ndaj Bjellorusisë

    November 15, 2026

    Vetëm 46 metra për t’u ngritur në ajër, avioni që mund të ndryshojë udhëtimet ajrore

    November 15, 2026

    Gjobë rekord: Italia kërkon 800 mln euro nga Facebook

    November 15, 2026
    Mos e humb
    Aktualitet October 16, 2026

    Kaos në aeroportin e Rinasit administruar nga Kastrati! 10 fluturime të anuluara drejt Italisë, pasagjerët pa informacion

    Kaos dhe pakënaqësi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i cili administrohet nga Kastrati Group, ku…

    Çfarë pritet? Ilegaliteti “ngrin” prej 10 ditësh në Shqipëri! Mbyllen bastet dhe Call Centerat, bien transaksionet me Kriptomonedha

    Dosja/ Biznesmeni Meqemeja i dha Ahmetajt 140 mijë euro! SPAK: Shpërblim për Inceneratorin e Fierit përmes shitjeve fiktive

    ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Tri shenja të horoskopit po hyjnë në një kapitull të ri, pasi kuptuan çfarë duhet të lënë pas

    Yjet paralajmërojnë një të diel plot të papritura: Disa mundësi të papritura janë më pranë se kurrë

    Fati po ndryshon për 12 shenjat! Hëna e Re në Akrep sjell surpriza, pajtime dhe mundësi të reja

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.