Vrau shqiptarin për 5 euro, prokuroria në Spanjë kërkon mbi 22 vite burg për autorin, dëmshpërblim 140 mijë euro prindërve dhe 35 mijë euro motrës
Kur Gjykata Kushtetuese ka caktuar 2 dhjetorin si ditën kur magjistratët do të përplasen me Kuvendin dhe qeverinë për ligjin e pagave, kësaj beteje kërkojnë t’i bashkohen edhe ish-gjyqtarët e vettingut.
Me një padi të veçantë të dorëzuar nga ish-gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimosa Tasi, Natasha Mulaj, Sokol Çomo, aktualisht gjyqtarë apeli, dhe Rezarta Schuetz, kërkohet shfuqizimi i një neni të miratuar së fundmi, ku ata përjashtohen nga efektet e ndryshimit të pagës referuese gjatë kohës që gëzonin në KPA statusin si gjyqtarë kushtetues.
Sipas paditësve, ndryshimet e 18 shtatorit nuk i kanë përfshirë gjyqtarët e vettingut në efektet prapavepruese të ligjit nga 1 prilli 2023 deri më 17 qershor 2026, kur u përfundoi mandati 9-vjeçar i vettingut. Siç mëson Top Channel, në padi ish-gjyqtarët e vettingut nuk ngrenë pretendime për koeficientin e pagës prej 0.38 për qind të miratuar tre muaj më parë, por kërkojnë që efektet e këtij ligji të ndikojnë edhe për ta.
Ky ligj, thonë paditësit, i ka njohur të drejtën për të përfituar pagën referuese me koeficientin 0.38% vetëm anëtarëve dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe e drejta për pagë të barabartë dhe paprekshmëria e pagës duhet t’u garantohej edhe gjyqtarëve të KPA, shprehen më tej.
Ish-njerëzit e vettingut kërkojnë shqyrtim të përbashkët të çështjes së iniciuar nga shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe trajtim me përparësi të ankimit.
Ndërkohë që, siç deklarojnë burime pranë Gjykatës Kushtetuese, padi për pagën kanë dorëzuar më vete edhe ndihmës ligjorë të dy shkallëve të vettingut dhe konkretisht të KPA dhe KPK, mandati i të cilëve ka përfunduar dhe ka kaluar për rishqyrtimin e vettingut në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, teksa ka bërë publike listën e ish-gjyqtarëve dhe prokurorëve që kërkojnë rishikim të vendimeve të shkarkimit, ka miratuar gjithashtu rregulloren ku nuk përjashton vëzhguesit e ONM në dhomë këshillimi. Një rregullore që, kur u pyet nga TCH, u vu në pikëpyetje nga lideri i opozitës.
“ Nëse gjykatësit kushtetues mendojnë se mund ta rishkruajnë këtë ligj, ata gabohen shumë rëndë”, shprehej Berisha.
Mes magjistratëve që kërkojnë rishikim janë edhe Ervin Metalla, Gentian Osmani, Adnan Kosova, Ferdinand Elezi dhe Eugen Papandile, ndaj të cilëve Strasburgu deklaroi shkelje të procesit të rregullt e për rrjedhojë pritet rikthimi i tyre në drejtësi.
Top Channel