E diel, 15 Nëntor 2026 E-Zone deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Sociale

Infeksionet seksualisht të transmetueshme: Si t’i njihni në kohë? Dr. Mimoza Keta tregon shenjat dhe analizat që nuk duhen shtyrë

Sekrecione që ndryshojnë ngjyrë dhe erë, kruarje, djegie, dhimbje gjatë marrëdhënieve apo lythe në zonën intime janë disa nga shenjat që duhet t’ju çojnë te mjeku. Shumë nga këto infeksione mund të kalojnë pa simptoma, por pa trajtim mund të sjellin komplikacione të rënda.

Për këtë temë foli në emisionin “Diagnozë” nga Freskida Miloti, në Vizion Plus doktoresha Mimoza Keta, obstetre-gjinekologe me mbi 40 vjet përvojë, e cila punon në klinikën Virhov.

Sipas saj, sot flitet për infeksione të aparatit riprodhues dhe infeksione seksualisht të transmetueshme, pasi jo të gjitha infeksionet gjinekologjike kalojnë nga partneri.

Kur infeksioni nuk vjen nga partneri?

Reklamë

Doktoresha shpjegoi se vaginoza bakteriale dhe mykoza vaginale (Candida) janë ndër infeksionet më të shpeshta te gratë. Ato shkaktohen nga ndryshimi i pH-it të vaginës, i cili mund të vijë nga stresi, nga marrëdhëniet e pambrojtura ose nga tamponët që nuk ndërrohen në kohë.

Te vaginoza, sekrecionet bëhen gri, të ujshme dhe me erë të pakëndshme. Te mykoza ato janë më të trasha dhe shoqërohen me kruarje, skuqje, djegie gjatë urinimit dhe dhimbje gjatë marrëdhënieve.

Ajo theksoi se sekrecionet vaginale janë normale dhe ndryshojnë gjatë ciklit. Shqetësuese bëhen kur ndryshojnë papritur ngjyrë, dendësi apo erë.

“Sifilizi mund të kalojë për vite si grip”

Mes infeksioneve që transmetohen seksualisht, mjekja përmendi HPV-në, sifilizin, klamidian, trikomonasin dhe herpesin. Ajo paralajmëroi se sifilizi nis me një puçër të vogël dhe pa dhimbje që zhduket vetë. Më pas mund të ngatërrohet me një gjendje gripale, ndërsa vite më vonë mund të prekë zemrën dhe trurin.

Sipas saj, një analizë e thjeshtë gjaku mjafton për ta diagnostikuar.

Doktoresha tregoi se HPV-ja transmetohet edhe me kontakt lëkurë më lëkurë dhe shfaqet shpesh me lythe në zonën gjenitale. Disa nga nëntipet e saj kanë rrezik të lartë për kancer të qafës së mitrës. Prandaj, sipas saj, nuk mjafton vetëm të dihet nëse virusi është i pranishëm, por duhet përcaktuar edhe tipi i tij.

“Klamidia dhe lidhja me infertilitetin”

Ajo theksoi se klamidia prek kryesisht të rinjtë 14–28 vjeç, pasi shumë prej tyre kanë marrëdhënie të pambrojtura. Te femrat mund të ngatërrohet me infeksion urinar. Te meshkujt mund të shfaqet me rrjedhje, dhimbje në fund të barkut ose skuqje të testikujve, por shpesh nuk jep asnjë shenjë.

Mjekja shtoi se këto infeksione mund të ulin ndjeshëm lëvizshmërinë e spermatozoidëve dhe të shkaktojnë vështirësi për të pasur fëmijë. Për këtë arsye, para planifikimit të shtatzënisë rekomandohet paneli infektiv si për gruan, ashtu edhe për burrin.

“Diagnoza e hershme shpëton jetë”

Dr. Mimoza Keta këshilloi që çdo grua, sapo nis marrëdhëniet seksuale, të bëjë vizitën gjinekologjike, analizat infektive dhe Pap testin. Sipas saj, personat në rrezik duhet të bëjnë kontroll për infeksionet të paktën një herë në gjashtë muaj.

Ajo paralajmëroi edhe kundër larjeve të brendshme me produkte të papërshtatshme, pasi ato prishin florën vaginale. Për trajtimin, sipas saj, përdoren ovula, kremra dhe në disa raste antibiotikë, por vetëm pas daljes së rezultateve.

Në fund, ajo kujtoi se në Shqipëri vaksina kundër HPV-së u ofrohet vajzave në moshën 12-vjeçare dhe djemve në moshën 14-vjeçare. Doktoresha i inkurajoi prindërit që ta bëjnë këtë vaksinë.

Mesazhi i saj ishte i qartë: mos e neglizhoni asnjë shenjë dhe mos e shtyni vizitën te mjeku. Infeksionet janë të trajtueshme, por një diagnozë e hershme dhe e saktë mund të shpëtojë një jetë.

Emisioni “Diagnozë” transmetohet çdo të dielë në orën 18:00, në Vizion Plus.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.