Kombëtarja shqiptare ka siguruar ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve, pasi ka mposhtur me rezultatin 2-0 Bjellorusinë në transfertë, duke e mbyllur grupin në vendin e parë. Ndeshja u luajt në Budapest me stadiumin bosh pas dënimit të skuadrës bjelloruse.
Kuqezinjtë e përfunduan këtë edicion me 15 pikë, pas pesë fitoreve dhe vetëm një humbjeje, duke siguruar objektivin e ngjitjes një kategori më lart.
Fitorja ndaj Bjellorusisë u vulos nga golat e Rey Manajt dhe Elseid Hysajt. Sulmuesi kuqezi zhbllokoi rezultatin në minutën e 28-të, pas një aksioni ku mbrojti mirë topin dhe goditi fort drejt rrjetës.
Në minutën e 56-të ishte Elseid Hysaj që dyfishoi shifrat. Mbrojtësi goditi me të majtën dhe, pas një devijimi në zonë, topi përfundoi në rrjetë për rezultatin 0-2.
Shqipëria pati edhe mundësi të tjera për të thelluar avantazhin, ndërsa një prej rasteve më të mira ishte goditja e Kristjan Asllanit, e cila u ndal nga traversa.
Përveç ngjitjes në Ligën B, ky sukses i siguron Kombëtares shqiptare edhe një vend në vazon e tretë për shortin e kualifikueseve të Kampionatit Europian të ardhshëm.
Një tjetër objektiv i rëndësishëm i kuqezinjve është arritur, me Shqipërinë që rikthehet në një nivel më të lartë të Ligës së Kombeve. r.s





