Keni humbur projekte nga frika e të folurit në publik? Arjeta Dhima shpjegon si ndërtohet vetëbesimi
Pse njerëz të suksesshëm, me njohuri dhe përvojë, ngrijnë kur duhet të flasin para të tjerëve? A mund ta kapërcejë dikush frikën e daljes në publik, edhe pasi e ka mbajtur me vete për vite?
Për këtë temë foli në rubrikën “Impakt Shëndet” të emisionit “Diagnozë” nga Freskida Miloti, në Vizion Plus aktorja dhe regjisorja Arjeta Dhima. Ajo është ventrilokuistja e parë shqiptare dhe prej 13 vitesh trajnon të tjerët për të folurit në publik.
Fjala është mjeti kryesor për t’u përfaqësuar. Megjithatë, shumë njerëz nuk arrijnë ta përçojnë mendimin e tyre ashtu siç e meritojnë.
Pse e kemi të vështirë të dalim para të tjerëve?
Sipas Arjeta Dhimës, problemi ndihet më shumë te brezi mbi 50 vjeç. Këta njerëz janë të konsoliduar dhe të pavarur financiarisht, por janë rritur në një sistem shkollimi me presion. Ajo shpjegoi se dalja para klasës apo para kolegëve shpesh kthehej në një lloj “gjyqi”. Për pasojë, njerëzit mësuan të ndrydhin veten dhe të mendojnë se kjo është normale.
Ajo theksoi se nga vetëbesimi nisin të gjitha të tjerat. Të ardhurat njerëzit i gjejnë vetë, por për të ndarë vlerë me të tjerët duhet një hap më shumë.
Trajnerja tregoi se ka parë biznesmenë dhe profesionistë me intelekt të lartë që ia lënë prezantimin e projekteve të mëdha një menaxheri, sepse kanë frikë të dalin vetë. Sipas saj, kjo frikë mund të arrijë deri në glosofobi, por ka zgjidhje si çdo gjë tjetër. Ajo shtoi se ka trajnuar edhe mjekë shumë të mirë që sot po korrin sukses në fushat e tyre.
“Kërkimi i ndihmës është për t’u përgëzuar”
Dhima tha se trajnimi duhet të nisë “ngrohtë”, sepse shumë vijnë me frikë edhe nga vetë trajnimi. Sipas saj, problemi më i madh nuk është frika, por bindja se nuk ka zgjidhje. Një problem tjetër është kur njerëzit e detyrojnë veten të dalin në publik, por brenda tyre janë shumë të tensionuar.
Ajo shpjegoi se lodhja e madhe pas një prezantimi vjen kryesisht nga mosdija për ta menaxhuar energjinë, sidomos para një audience të gjallë. Puna e saj, tha ajo, nuk ka të bëjë me audiencën, por me formimin e individit. Ai duhet të mbetet i njëjtë, pavarësisht nëse publiku e duartroket apo jo.
Kur sheh shenja ankthi që kërkojnë ndihmë profesionale, ajo e orienton personin drejt psikologut apo psikiatrit. Sipas saj, te ata që punojnë me të, ankthi zakonisht largohet që në seancën e tretë.
“Mos u krahasoni me askënd”
Trajnerja theksoi se krahasimi me të tjerët është një nga pengesat më të mëdha. Çdo njeri ka diksionin, zërin dhe mënyrën e vet të të shprehurit. Ajo tha se nuk preferon t’ia ndryshojë zërin askujt. Qëllimi është ta strukturojë mënyrën se si flet, përmes gjuhës së trupit, prezencës dhe sharmit, si dhe një zëri që personi e pranon i pari vetë.
Ajo tregoi se kënaqësia më e madhe për të është kur sheh ish-kursantët të zotërojnë skena me qindra spektatorë. Një prej tyre e kishte telefonuar një ditë për ta pyetur si menaxhohet momenti kur publiku ngrihet në këmbë dhe duartroket.
Dhima shtoi se aktrimi, regjia dhe sidomos ventrilokuizmi e kanë ndihmuar të dallojë karakterin e personit që ka përballë. Sipas saj, nëse ajo arrin të krijojë personazhe dhe të performojë me gojë mbyllur, mund të ndihmojë patjetër dikë që flet me gojë hapur.
Si ruhet zëri?
Për kujdesin ndaj zërit, ajo rekomandoi hidratim të rregullt me ujë në temperaturë ambienti dhe çajra natyralë pa konservantë. Para performancave rekomandoi zero alkool, sidomos verë të kuqe. Ajo paralajmëroi se aciditeti i stomakut është ndër shkaktarët kryesorë të humbjes së zërit. Sipas saj, duhen shmangur edhe ushqimet acide dhe duhani.
Mesazhi i bisedës ishte i qartë: frika nga të folurit në publik nuk është dobësi pa zgjidhje. Me punë, mbështetje dhe pa u krahasuar me të tjerët, çdokush mund ta gjejë zërin dhe vetëbesimin e vet.
Emisioni “Diagnozë” transmetohet çdo të diel në orën 18:00 në Vizion Plus.




