Uzuni pas triumfit ndaj Bjellorusisë: Bëmë një ndeshje të madhe, tifozët janë forca jonë

Myrto Uzuni ka shprehur kënaqësinë e tij pas fitores 2-0 të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë, një rezultat që i siguroi Kombëtares vendin e parë në grup dhe ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Sulmuesi kuqezi vlerësoi paraqitjen e skuadrës, duke theksuar se futbollistët kishin hyrë në fushë me objektivin e qartë për të marrë tri pikët. Sipas tij, kjo ishte një ndeshje me rëndësi të veçantë, ku të gjithë lojtarët dhanë maksimumin.
Uzuni nuk la pa përmendur as mbështetjen e tifozëve shqiptarë, të cilët i konsideroi një faktor vendimtar në suksesin e Kombëtares.
“Kemi zhvilluar një ndeshje shumë të madhe. Ishte një finale për ne. E njohim cilësinë që kemi dhe erdhëm këtu për të fituar. Djemtë bënë një paraqitje fantastike.
Tifozët kanë qenë forca jonë më e madhe. Të dyja fitoret kanë qenë plotësisht të merituara. Ne i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Tani krijojmë më shumë raste në sulm dhe të gjithë lojtarët japin maksimumin”, u shpreh Uzuni.




