Gjimshiti vlerëson brezin e ri: Po na përmirësojnë si Kombëtare

Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka komentuar fitoren 2-0 ndaj Bjellorusisë dhe sigurimin e vendit të parë në grupin C1 të Ligës së Kombeve, që i garanton kuqezinjve ngjitjen në Ligën B.
Në prononcimin e tij pas ndeshjes, mbrojtësi kuqezi u shpreh optimist për të ardhmen e Kombëtares, duke theksuar se skuadra ka krijuar një bazë të fortë, pasi një pjesë e madhe e lojtarëve kanë kohë që luajnë së bashku.
Gjimshiti vlerësoi gjithashtu kontributin e futbollistëve të rinj, të cilët sipas tij po sjellin cilësi dhe po ndihmojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të ekipit.
“Baza ekziston. Prej një kohe të gjatë, shumë prej çunave jemi bashkë në këtë Kombëtare. Lojtarët e rinj që vijnë na përmirësojnë si ekip dhe si Kombëtare. Nuk ka limite. Duhet të përmirësohemi dhe të shikojmë përpara”, u shpreh kapiteni kuqezi.
Një mesazh ambicioz nga Gjimshiti, i cili sheh potencial për më shumë te kjo Kombëtare, pas një tjetër objektivi të realizuar në arenën ndërkombëtare.




