Një debat banal për enët e palara në lavamanin e kuzhinës ka përfunduar në një episod të rëndë dhune në Romë, ku një 50-vjeçare ka përfunduar në pranga, e akuzuar për tentativë vrasjeje ndaj partnerit të saj.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Tufello, ku gruaja dyshohet se ka sulmuar fizikisht partnerin me një ngrohëse elektrike, duke e goditur disa herë dhe më pas duke tentuar ta mbysë me kabllon e pajisjes. Shkak për shpërthimin e dhunës dyshohet se është bërë fakti që burri kishte lënë sërish enët e palara në lavaman.
Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë, rreth orës 21:30, në banesën ku çifti jetonte së bashku. Pas alarmit të dhënë nga fqinjët, karabinierët kanë mbërritur në apartament dhe kanë gjetur gruan të hipur mbi partnerin e saj, i cili ndodhej i shtrirë në një pellg gjaku dhe pothuajse pa ndjenja.
Efektivët kanë ndërhyrë menjëherë për të neutralizuar 50-vjeçaren, e cila vijonte të fyente partnerin edhe në prani të tyre. Ndërkohë, ekipet e urgjencës mjekësore i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe më pas e kanë transportuar në poliklinikën Umberto I.
Para hetuesve, burri ka rrëfyer momentet e dhunshme dhe përshkallëzimin e debatit që nisi për enët e palara.
“Filloi të më shtynte dhe që në atë moment nisa të shqetësohesha. I thashë se do t’i laja vetë enët, por ajo nuk u ndal më. Në fund humba ndjenjat”, ka deklaruar ai.
Për shkak të sulmit, burri ka pësuar frakturë të septumit të hundës dhe të njërës mollëz, dëmtime në kokë, si dhe mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Lëndime ka marrë edhe në duar, me të cilat ishte përpjekur të mbrohej nga goditjet.
Pas arrestimit, gruaja është dërguar fillimisht në një institucion shëndetësor për t’iu nënshtruar kontrolleve fizike dhe psikologjike. Më pas është transferuar në burgun e Rebibbias.
Ndërkohë, hetuesit po shqyrtojnë edhe mundësinë që 50-vjeçarja të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike në momentin e sulmit.












