Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut paralajmërojnë rikthimin e protestave nëse nuk marrin një përgjigje konkrete nga qeveria e Hristjan Mickoskit për zhvillimin e plotë të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Edhe pse qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka dërguar çështjen për opinion në Komisionin e Venecias, studentët shqiptarë e kundërshtojnë duke e cilësuar si një përpjekje për zvarritje. Modeli që qeveria i ka dërguar Komisionit të Venecias parashikon që vetëm pjesa teorike, me shkrim, të jepet në gjuhën shqipe, maqedonisht, anglisht dhe turqisht, ndërsa pjesa praktike vetëm në maqedonisht. Pjesa praktike, me gojë, detyrohet të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase dhe me alfabet cirilik. Studentët kërkojnë të dyja pjesët në shqip, ashtu siç kanë kryer studimet universitare.