Prokuroria në Spanjë ka kërkuar 22 vite e 5 muaj burg për 52-vjeçarin, të njohur me nofkën “El Seco”, i akuzuar për vrasjen e të riut shqiptar Artjol Ramaj, i zhdukur më 2 mars 2023 në Riudarenes, në provincën e Gironës. Sipas hetimeve, Ramaj jetonte prej fundit të vitit 2022 në të njëjtën banesë me të akuzuarin, ku të dy kujdeseshin për një plantacion marijuane. Mes tyre kishte konflikte të vazhdueshme, ndërsa natën e krimit një debat për vetëm 5 euro dyshohet se përfundoi në tragjedi.
Sipas akuzës, 52-vjeçari e sulmoi shqiptarin ndërsa ky i fundit ishte i shtrirë në shtrat dhe pa mundësi për t'u mbrojtur, duke i shkaktuar dëmtime fatale në kokë. Më pas, ai dyshohet se transportoi trupin në një zonë pyjore pranë banesës dhe e la aty, me qëllim që mbetjet e tij të përfundonin pre e derrave të egër dhe qenve endacakë. Më 17 prill 2023, rreth një muaj e gjysmë pas zhdukjes, një person që po shëtiste qenin zbuloi mbetje kockore në pyll.
Trupi i Artjol Ramajt nuk u gjet kurrë i plotë. Gjendja e mbetjeve skeletore, shpërndarja e tyre dhe dëmtimet e shkaktuara nga kafshët nuk lejuan ekspertët të përcaktonin të gjitha plagët që kishte marrë viktima. Megjithatë, ata konstatuan një dëmtim traumatik në kokë, të cilin prokuroria e konsideron ndër dëmtimet që i morën jetën të riut shqiptar. Tashmë, organi i akuzës kërkon dënimin e autorit të dyshuar me 22 vite e 5 muaj burg.
© SYRI.net
Goditet një grup trafiku droge në Prishtinë, arrestohen 6 persona! Mes tyre edhe ish ministri i Kulturës
SYRI TV/ Dosja e tjetërsimit të 44 mijë m² tokë në Povelçë - Arrest në burg për 4 nga të akuzuarit