Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka gjobitur kompaninë Meta me 805 milionë euro për shkelje të privatësisë, pasi aplikacioni Facebook në Android kishte akses në fotografitë dhe videot e rreth 20 milionë përdoruesve pa pëlqimin e tyre specifik. Kjo është gjoba më e lartë e vendosur ndonjëherë nga ky autoritet në Itali, duke përbërë rreth 0.4%-0.47% të xhiros globale të kompanisë. Hetimi nisi në korrik 2025 pas një ankese nga një shoqatë konsumatorësh në Bolzano. Sipas autoritetit italian, gjoba përfaqëson rreth 0.47% të xhiros globale të grupit dhe lidhet me mënyrën se si funksiononte një veçori e Facebook-ut, e prezantuar në vitin 2023, me emrin “Merr sugjerime nga galeria kur shfleton Facebook-un”. Ky funksion u ofronte përdoruesve mundësinë të merrnin sugjerime për publikime bazuar në fotografitë dhe videot e ruajtura në memorien e telefonit. Megjithatë, hetimi zbuloi probleme serioze në mënyrën se si kërkohej autorizimi për aksesin në galerinë e pajisjes. Sipas autoritetit, aplikacioni kërkonte një leje të vetme për të gjithë funksionet, duke përdorur një njoftim të përgjithshëm që nuk shpjegonte qartë se për çfarë do të përdoreshin të dhënat personale. Kompania ka 60 ditë afat për ta çaktivizuar funksionin si parazgjedhje dhe për të kërkuar pëlqim të veçantë nga përdoruesit, si dhe afate të tjera për raportim.Meta e ka cilësuar gjobën joproporcionale, duke kundërshtuar vlerësimin e fakteve dhe ligjit, dhe ka paralajmëruar apelimin e vendimit