Ekranet në shkolla shqetësim për prindërit, mbi 150 mjekë paralajmërojnë për pasoja te fëmijët
Një 40-vjeçar shqiptar ndodhet në gjendje kritike për jetën në Maltë, pasi dyshohet se ka gëlltitur një substancë narkotike gjatë një ndërhyrjeje të policisë, në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit.
Sipas medias malteze The Malta Independent, ngjarja ka ndodhur të dielën, rreth orës 11:00, në rrugën Triq il-Ħalel, në zonën e St. Paul’s Bay.
Efektivët e policisë ndaluan një automjet pasi konstatuan se drejtuesi dhe pasagjeri nuk kishin vendosur rripat e sigurimit. Gjatë kontrollit, pasagjerit 40-vjeçar iu gjet një dorezë metalike për grusht, si edhe një substancë e dyshuar narkotike.
Në momentin kur policët tentuan ta arrestonin, shqiptari bëri rezistencë dhe u përpoq të largohej. Gjatë përleshjes me efektivët, ai dyshohet se ka gëlltitur një sasi të substancës narkotike.
40-vjeçari u transportua në spitalin Mater Dei, ku u konstatua se ndodhej në rrezik për jetën.
Edhe drejtuesi i automjetit, një tjetër shtetas shqiptar 42 vjeç, tentoi të largohej, por u kap nga policia dhe u arrestua.
Gjatë ndërhyrjes, një rreshtere policie mbeti e lënduar lehtë dhe mori ndihmë mjekësore në një qendër shëndetësore.
Policia sekuestroi gjithashtu një sasi të konsiderueshme substance të dyshuar si kokainë dhe dy thika. Sasia e saktë e drogës së sekuestruar nuk është bërë e ditur.
Autoritetet malteze vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel