Personi që shihni në video është një burrë i filmuar mbrëmjen e kësaj të diele në zonën e ish-Sheshit Shqiponja në Tiranë. I ulur në trotuar, me kokën e mbështetur poshtë dhe trupin të mbledhur, ai qëndron pranë karrocës së tij, e cila është e mbushur me sende dhe pak gjëra që duket se përbëjnë gjithë pasurinë që ka me vete.
Pamjet janë dërguar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare, e cila kërkon që rasti të bëhet publik me shpresën se dikush mund t'i gjendet pranë.
Pas komunikimit me qytetaren, ajo tregon se e ka parë edhe herë të tjera këtë burrë, herë pranë semaforit të Astirit dhe herë në zonën e ish-Sheshit Shqiponja. Sipas saj, ai shoqërohet gjithmonë nga e njëjta karrocë, ku mban sendet e tij. Nuk përjashtohet që mes tyre të ketë edhe materiale që mund të mbledhë gjatë ditës, si kanoçe apo mbetje të riciklueshme, për të siguruar diçka për të jetuar.
Nuk e dimë historinë e tij dhe as çfarë e ka çuar në këtë gjendje. Por pamja e një njeriu të ulur në trotuar, i vetëm, me kokën ulur dhe gjithë sendet e veta të mbledhura në një karrocë, është një realitet që nuk duhet ta kalojmë pa e vënë re.
Ndoshta ka nevojë për një strehë ku të kalojë natën, një vakt të ngrohtë, veshmbathje apo thjesht dikë që të ndalet dhe ta pyesë nëse ka nevojë për ndihmë.
Le ta shpërndajmë këtë video që të arrijë te njerëzit që mund t'i gjenden pranë. Ndonjëherë, për dikë që po përpiqet të mbijetojë ditë pas dite, një dorë e shtrirë mund të bëjë shumë.