Ndërtimi i një tuneli që i mundëson Xhamisë Qendrore në ndërtim e sipër lidhjen me lagjen e Prishtinës, “Dardania”, është shqetësimi i radhës për banorët e zonës, shtëpitë e të cilëve gjenden afër saj.
Ata thonë se ky tunel nuk ka qenë pjesë e projektit fillestar të xhamisë dhe kanë frikë se ndërtimi i tij mund të ndikojë në stabilitetin e shtëpive të tyre.
“Ne nuk jemi kundër xhamisë, por nuk jemi për me bë veprime që nuk guxojnë të bëhen dhe na rrezikojnë jetën. Me këtë dokument që e kemi marrë nga drejtoria e urbanizmit para dy muajve, e kemi parë një tunel që do të jetë rreth 10 metra thellë. Ekziston pllaka shkëmbore aty dhe pa ndonjë ekspertizë të mos marrin veprime, sepse mund të prishet stabiliteti i shtëpive dhe mund të vijë deri te shembja e shtëpive. Projekti fillestar nuk ka paraparë tunel”, ka thënë banori Metiner Rexha.
Shqetësimin e tij e ka shprehur edhe banori Ilir Ajeti.
“Xhamia le të ndërtohet, por na kanë bllokuar që gati 10 vjet rrugën, shtëpia jem është djegu e s’kanë pasur qasje zjarrfikësit, bërllokun s’munden me e marrë, banorët e Dardanisë me marrë shërbimin shëndetësor duhet të sillen rrotull. Edhe sa do të zgjasë? Le ta kryejnë punën e ta lëshojnë rrugën. Edhe të mos na rrezikohet jeta prej tunelit”, ka thënë ai.
Edhe
Banorë të lagjes “Dardania” marrin urdhëresë për lirim pronash afër xhamisë në ndërtim
Banorët të cilët janë në proces gjyqësor me Komunën pasi ajo u ka dhënë urdhër që t’i lëshojnë shtëpitë e tyre me arsyetimin se ato janë ndërtuar në pronën komunale, dyshojnë që presioni po u bëhet vetëm për shkak të ndërtimit të xhamisë.
Por sipas tyre, ata posedojnë dokumente që dëshmojnë se shtëpitë i kanë blerë në vitet ’60.
“Është bërë edhe tejkalimi i lartësisë dhe gjerësisë. Na kanë sjellë vendime për t’i liruar shtëpitë tona dhe tani për këtë arsye jemi në gjykatë dhe po presim vendimin e Gjykatës Themelore dhe e kemi masën mbrojtëse prej gjykatës së apelit. Këto shtëpi janë ndërtuar në vitin ‘50 dhe ne i kemi blerë në vitin ‘60”, ka thënë banori Rexha.
KOHA ka dërguar pyetje në Komunën e Prishtinës e po ashtu edhe në adresën zyrtare të Bashkësisë Islame lidhur më çështjen e tunelit, mirëpo deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë përgjigje.
Por ky nuk është shqetësimi i vetëm i këtyre banorëve. Dy javë më parë, kjo zonë është tentuar të ndahej për diçka tjetër.
Përmes një vendimi për caktim të lokacionit, Komuna e Prishtinës në këtë pjesë të qytetit, kishte paraparë ndërtimin e një kompleksi të shumëllojshëm, parku dhe parkingu të Kurrizit.
Sipas banorëve, projekti nuk i përfshinte vetëm shtëpitë pranë xhamisë, por edhe të tjera deri te objekti kryesor i KEDS-it.
Edhe
Gërguri: Për projektin në Ulpianë do të duhej fillimisht debat publik me banorët
Caktimi i këtij lokacioni ishte futur si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e shtatë të Kuvendit Komunal për miratim, mirëpo u largua nga rendi i ditës, pas kërkesës së PDK-së e Vetëvendosjes, duke theksuar se mungon dokumentacioni pronësor për këtë pjesë.
Xhamia Qendrore është duke u ndërtuar tash e sa vite pranë objektit kryesor të Postës së Kosovës.