Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aksion antidrogë në Prishtinë, sekuestrohen kokainë, vetura luksoze dhe para të gatshme

Policia

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka realizuar një operacion të gjerë antidrogë në rajonin e Prishtinës, ku ka goditur një grup të organizuar të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës.

Operacioni, i koduar “Heshtja”, është zhvilluar më 14 nëntor 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Sipas njoftimit të Policisë, operacioni është rezultat i një hetimi të gjatë, përmes të cilit janë zbuluar dyshimet për funksionimin e një grupi me strukturë të organizuar dhe hierarki të qartë, nga personat në pozita drejtuese deri te shpërndarësit e drogës në rrugë.

Gjatë aksionit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe njësi të tjera policore, janë bastisur disa lokacione dhe janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

Gjatë operacionit dhe vazhdimit të tij, policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë, tableta të dyshuara të ekstazisë dhe një substancë të panjohur.

Po ashtu, janë sekuestruar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, gjashtë vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan, si dhe telefona mobilë, pajisje elektronike e komunikimi dhe pajisje për vëzhgim.

Në mesin e provave të sekuestruara janë edhe ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve.

Sipas vlerësimeve të Policisë, kokaina e sekuestruar ka një vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh, bazuar në çmimin e shitjes në tregun e rrugës. Ndërsa vlera e përgjithshme e substancave narkotike dhe aseteve të sekuestruara, përfshirë veturat, orët, stolitë dhe paratë e gatshme, arrin në rreth 301 mijë euro.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia ka bërë të ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ndërsa hetimet dhe veprimet operative janë duke vazhduar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se e mirëpret aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës, Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Prokurorisë, që rezultoi me goditjen e grupit të organizuar kriminal që merrej me trafikimin dhe shpërndarjen e kokainës në rajonin e Prishtinës.

Operacioni i koduar “Heshtja”, përmes të cilit u arrestuan gjashtë persona të dyshuar dhe u sekuestruan rreth 1.6 kilogramë kokainë, substanca të tjera narkotike, përfshirë marihuanë dhe ekstazi, si dhe asete në vlerë të përgjithshme prej rreth 301 mijë eurosh, dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe hetimeve profesionale në luftimin e krimit të organizuar.

“Beteja jonë përballë kësaj dukurie, e cila prek të gjithë shoqërinë tonë e veçanërisht të rinjtë, është e vazhdueshme, e pandalshme dhe e pakompromis. Si institucione të Republikës së Kosovës, do të vazhdojmë të mbështesim dhe fuqizojmë veprimet e institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit, me qëllimin për të goditur grupet kriminale në çdo nivel të organizimit të tyre”, ka shkruar ai.

Arrestohet ish-ministri Haraqija në aksionin e Policisë për narkotikë

12 o. më parë / 15 nën 2026 14:41 Nga: Besjana Bajrami
astrit Haraqija

Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, është në mesin e të arrestuarve në aksionin e policisë për narkotikë, i cili u zhvillua të shtunën.

Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar për KOHËN, avokati i tij mbrojtës Korab Bokshi.

Ai ka thënë se Haraqija është arrestuar e më pas intervistuar nga Policia për veprën penale të narkotikëve, ku edhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Bokshi ka bërë të ditur se është bastisur edhe banesa e tij ku janë sekuestruar telefona dhe mjete monetare, për të cilat ka deklaruar se janë kursime të fëmijëve të tij.

“Mbrëmë është arrestuar dhe i është bastisur banesa pas mesnatës. Prokurori ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh. Gjatë bastisjes nuk është gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër. I janë sekuestruar telefona dhe disa mjete monetare të cilat janë kursime të fëmijëve të tij”, ka thënë Bokshi.

Ai tutje ka bërë të ditur se nga komunikimet me klientin e tij, ai ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje, e as nuk i njeh personat e tjerë të arrestuar e që janë të lidhur me rastin.

“Sipas komunikimeve me Astritin, ai më ka treguar se nuk ka lidhje me veprën e as me personat e përfshirë. Mund t’i ketë takuar ndonjëherë për shkak të aktivitetit politik, por nuk i njeh personalisht”, ka shtuar tutje.

Bokshi ka thënë se kanë paraqitur ankesë te gjyqtari i procedurës paraprake për ta kundërshtuar masën e  ndalimit.

Haraqija dyshohet të jetë arrestuar në operacionin antidrogë të Policisë së Kosovës të quajtur “Heshtja”, në të cilin janë bastisur disa lokacione dhe janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar, ndërsa një person tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Gjatë operacionit dhe vazhdimit të tij, policia ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë, tableta të dyshuara të ekstazisë dhe një substancë të panjohur.

Po ashtu, janë sekuestruar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, gjashtë vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan, si dhe telefona mobilë, pajisje elektronike e komunikimi dhe pajisje për vëzhgim.

Në mesin e provave të sekuestruara janë edhe ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve.

Astrit Haraqija ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, gjatë periudhës 2004–2007, në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Gjithashtu, në vitin 2012 ka qenë zëvendësministër i Financave në Qeverinë e Hashim Thaçit.