Eurodeputeti dhe raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, Riho Terras, ka reaguar pas interpretimit të muzikës së këngës nacionaliste serbe kundër Kosovës, në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Në një reagim në platformën “X”, Terras e ka cilësuar interpretimin e kësaj kënge si veprim jashtëzakonisht të papërshtatshëm dhe pahijshëm, duke ngritur pikëpyetje nëse bëhet fjalë për një provokim të qëllimshëm apo për injorancë.
“Interpretimi i një kënge nacionaliste serbe që pohon pretendime mbi Kosovën në një aktivitet për zgjerimin e BE-së, është një gabim jashtëzakonisht i patakt dhe pa shije”, ka shkruar Terras.
Ai ka kërkuar që Komisioni Evropian dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, t’i japin shpjegime Kosovës lidhur me këtë rast.
Muzika e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” u interpretua më 15 nëntor, gjatë koncertit të hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së, të organizuar në Bruksel nën udhëheqjen e komisioneres Marta Kos.
Në këtë aktivitet ishte paraparë që Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor, së bashku me grupin slloven “Kapobanda”, të interpretonte muzikë nga vendet e rajonit. Megjithatë, në pjesën kushtuar Kosovës u interpretua muzika e këngës që përmban mesazhe nacionaliste dhe pretendime serbe ndaj territorit të Kosovës.
Për këtë rast kanë reaguar edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, e ka cilësuar ngjarjen si skandaloze dhe të papranueshme, duke kërkuar shpjegime nga Marta Kos dhe masa lidhur me rastin.
Ndërkaq, kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka kërkuar sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian për mënyrën se si është përzgjedhur dhe miratuar repertori muzikor.