Paralajmërimi i diplomatit britanik: Evropa duhet të flasë me Putinin para se të jetë tepër vonë! Rrezik lufte katastrofike

Paralajmërimi i diplomatit britanik: Evropa duhet të flasë me Putinin para se të jetë tepër vonë! Rrezik lufte katastrofike

08:17, 16/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Evropa duhet të rivendosë kanalet e komunikimit me Rusinë, pa hequr dorë nga forcimi i kapaciteteve të saj ushtarake dhe mbështetja për Ukrainën. Ky është paralajmërimi i diplomatit britanik Sir Simon Gass, në një artikull të publikuar në gazetën “Financial Times”, me titull “Evropa duhet të flasë me Rusinë”.

Sipas diplomatit, mungesa e komunikimit mes Perëndimit dhe Moskës, në një periudhë tensionesh të larta, rrit rrezikun e një konflikti shkatërrues, i cili mund të nisë jo domosdoshmërisht nga një sulm i qëllimshëm, por edhe nga keqkuptimet, llogaritjet e gabuara apo incidentet ushtarake.

Për të argumentuar shqetësimin e tij, Gass rikthehet te viti 1983, kur bota iu afrua rrezikshëm një përplasjeje bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Në atë kohë, Moska interpretoi retorikën antikomuniste të presidentit amerikan Ronald Reagan si një sinjal të mundshëm për përgatitjen e një lufte.

Në shtator të atij viti, sistemet sovjetike të paralajmërimit zbuluan gabimisht atë që dukej si një sulm me raketa balistike amerikane. Vetëm vendimi i një oficeri sovjetik për ta konsideruar sinjalin si një gabim të sistemit shmangu një kundërpërgjigje bërthamore. Më vonë, edhe stërvitja e NATO-s “Able Archer” u perceptua nga Moska si një përgatitje e mundshme për sulm.

Diplomati paralajmëron se situata e sotme po shfaq ngjashmëri shqetësuese me atë periudhë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se Aleanca duhet të jetë e përgatitur për një sulm të mundshëm rus brenda pesë viteve të ardhshme, ndërsa Moska beson se vendet anëtare të NATO-s janë të përfshira drejtpërdrejt në konfliktin në Ukrainë.

Rreziku i përshkallëzimit dhe keqkuptimeve

Sipas Gass, përgjigjja e Evropës deri më tani është përqendruar në tre drejtime: vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe forcimin e mbrojtjes ndaj sulmeve në të ashtuquajturën “zonë gri”.

Megjithatë, këto masa nuk janë të mjaftueshme për të eliminuar rrezikun e një përplasjeje me Rusinë. Ai thekson se parandalimi i luftës kërkon jo vetëm ushtri më të fuqishme, por edhe përpjekje të barabarta diplomatike për të shmangur konfliktin.

Një tjetër shqetësim lidhet me dobësimin e mekanizmave të komunikimit që ekzistonin gjatë Luftës së Ftohtë. Marrëveshjet për kontrollin e armatimeve janë dobësuar ose janë zhdukur, ndërsa kanalet e besueshme të komunikimit politik dhe ushtarak me Rusinë janë bërë shumë të kufizuara.

Kjo situatë, sipas diplomatit, krijon mundësinë që secila palë t’i interpretojë gabimisht veprimet e tjetrës, duke nxitur një cikël të ri armatosjeje dhe përshkallëzimi.

Ai paralajmëron gjithashtu për pasojat e retorikës së ashpër politike. Si shembull përmend deklaratat publike për plane të mundshme ushtarake kundër mbrojtjes ajrore ruse në rajonin e Kaliningradit, të cilat mund të interpretohen nga Moska si sinjale për një sulm të mundshëm.

Thirrje për një strategji të përbashkët evropiane

Gass pranon se dialogu me Rusinë gjatë viteve të fundit ka qenë i vështirë dhe shpesh pa rezultate, duke përmendur qëndrimin e presidentit Vladimir Putin dhe bindjen e udhëheqjes ruse se zgjerimi i NATO-s përbën kërcënim për sigurinë e vendit.

Megjithatë, ai thekson se vendet evropiane duhet të përdorin çdo kanal të mundshëm komunikimi me Moskën, për të shpjeguar qëndrimin e tyre mbi sigurinë evropiane dhe për të shmangur keqinterpretimet.

Në këtë kuadër, diplomati propozon që liderët evropianë të caktojnë përfaqësues të posaçëm, të cilët do të shërbejnë si ndërmjetës në komunikimin me Rusinë. Ai kërkon gjithashtu një koordinim më të madh mes vendeve të kontinentit dhe përgatitje më serioze për menaxhimin e krizave.

Sipas tij, Evropa duhet të ketë një strategji të qartë jo vetëm për mënyrën se si do të përballet me një konflikt të mundshëm, por edhe për mënyrën se si do të parandalojë përshkallëzimin e tij.

Shembulli i Margaret Thatcher

Në fund të artikullit, Gass sjell në vëmendje edhe përvojën e ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher. Në vitin 1983, ajo organizoi një seminar njëditor me ekspertë për të kuptuar më mirë Bashkimin Sovjetik, mënyrën e funksionimit të tij dhe bindjet e udhëheqësve sovjetikë.

Thatcher besonte se Perëndimi ishte në një përballje të thellë me sovjetikët, por njëkohësisht kundërshtonte izolimin e plotë të tyre. Një vit më vonë, ajo priti në Britani liderin sovjetik Mikhail Gorbachev, në një vizitë që shënoi një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Lindjes dhe Perëndimit.

Për diplomatin britanik, ky është një shembull që liderët e sotëm evropianë duhet ta marrin në konsideratë. Evropa duhet të forcojë mbrojtjen dhe të mbështesë Ukrainën, por pa mbyllur dyert e diplomacisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco