Një zjarr i fuqishëm përfshiu një ndërtesë në Phuket, në jug të Tajlandës, në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne (16 nëntor), duke shkaktuar 11 viktima dhe 17 të plagosur.
Sipas autoriteteve lokale, zjarri shpërtheu rreth orës 02:00 në një ndërtesë ku në katin përdhes ndodhej një dyqan për dhënien me qira të motoçikletave, ndërsa katet e sipërme shërbenin si ambiente banimi. Ekipet zjarrfikëse punuan për rreth një orë për të vënë flakët nën kontroll.
Komandanti i policisë së Phuket, Surachai Sooksai, bëri të ditur se shkaku i zjarrit është ende nën hetim. Megjithatë, hetimet paraprake tregojnë se një transformator elektrik pranë ndërtesës kishte shpërthyer pak para se të shpërthenin flakët.
Guvernatori i Phuket, Chodnarin Koedsom, deklaroi se në dyqanin e motoçikletave ndodheshin rreth 100 mjete, si dhe sasi benzine, vaj motori, materiale plastike dhe goma. Prania e këtyre materialeve të ndezshme dyshohet se ka favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit dhe krijimin e tymit të dendur e toksik.
Sipas guvernatorit, viktimat duket se janë përpjekur t’i shpëtojnë flakëve duke u ngjitur drejt kateve më të larta të ndërtesës. Një trup u gjet në katin e tretë, ndërsa 10 të tjerë në katin e pestë.
Phuket është një ishull në jug të Tajlandës dhe një prej destinacioneve më të njohura turistike të vendit. Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të kësaj tragjedie.










