Aktualitet

BSH: Inflacioni në muajt e verës u rrit edhe nga kondicionerët!

Rritja e numrit të familjeve që konsumuan më shumë se 700 kWh energji dha ndikim në rritjen e inflacionit gjatë verës. Sipas analizës së Bankës së Shqipërisë, kontributi i kategorisë “Mallra me çmime të rregulluara” u rrit me rreth 0.1 pikë përqindjeje në tremujorin e tretë, i ndikuar nga zëri i pagesës së energjisë elektrike.

Banka e Shqipërisë vëren se zgjerimi i peshës së familjeve që konsumojnë më shumë se 700 kWh/muaj ka ndikuar në rritjen e çmimit mesatar të energjisë në muajt korrik dhe gusht 2026.

Në tërësinë e vet, rritja e inflacionit gjatë muajve të fundit, në masën më të madhe ka ardhur nga rritja e çmimeve të naftës dhe të lëndëve të para energjetike, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, si dhe kontributet më të larta të kategorisë së mallrave ushqimore të papërpunuara.

Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste u zbutën, duke reflektuar ngadalësimin e inflacionit të qirave dhe të disa shërbimeve të tjera.

Ky zhvillim përcaktoi edhe trajektoren rënëse të inflacionit brenda tremujorit të tretë: nga niveli 3.4% në korrik, në 3.2% në gusht dhe 2.9% në shtator.

Kontributi i ushqimeve në inflacion u rrit gjatë tremujorit të tretë, duke arritur në 1.1 pikë përqindjeje. Kjo ecuri u ndikua kryesisht nga ushqimet e papërpunuara, kontributi i të cilave u rrit me 0.2 pikë përqindjeje, falë përshpejtimit të ndjeshëm të inflacionit të perimeve.

Edhe kontributi i kategorisë “Mallra joushqimore” u rrit me 0.2 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin paraardhës, kryesisht si pasojë e çmimeve më të larta të karburanteve, në reflektim të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare. Inflacioni vjetor i karburanteve u përshpejtua në 21% në muajin shtator, nga 4% në muajin qershor.

Megjithatë, ky ndikim u kompensua pjesërisht nga rënia e inflacionit të një pjese të mallrave të tjera, veçanërisht e veshjeve dhe këpucëve.

Komponentët më të qëndrueshëm të inflacionit ndikuan kryesisht në kahun ngadalësues. Kontributi i kategorisë së strehimit u ul me 0.2 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin paraardhës, duke reflektuar ngadalësimin në 4.7% të inflacionit të qirave, nga 7.2% në tremujorin e dytë.

Ndërkohë, komponentët e tjerë dhanë një kontribut më të ulët prej 0.1 pikë përqindjeje, ku spikati ngadalësimi i inflacionit të shërbimeve të komunikimit celular dhe, në një masë më të moderuar, i shërbimeve të kafeneve dhe restoranteve./Monitor