Partia Socialdemokrate e kantonit Aargau (SP Aargau) ka nominuar Kujtim Ahmetin si kandidat për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, që do të mbahen më 24 tetor 2027.

Kongresi i SP Aargau u mbajt të shtunën në Umwelt Arena në Spreitenbach, ku delegatët miratuan njëzëri listën kryesore të kandidatëve për zgjedhjet federale të vitit 2027. Në mesin e kandidatëve të nominuar është edhe Kujtim Ahmeti, me prejardhje nga Kosova, i cili jeton dhe vepron në kantonin Aargau të Zvicrës.


Ahmeti ka një përvojë të mëparshme në politikën zvicerane.

Ai ka qenë anëtar i kryesisë së SP Aargau dhe ka garuar edhe në zgjedhjet federale të vitit 2023, si dhe në zgjedhjet për Parlamentin Kantonal të Aargaut në vitin 2024.

Me kandidimin e tij të ri, Ahmeti synon ta vazhdojë angazhimin politik në nivel federal, duke përfaqësuar interesat e qytetarëve dhe duke synuar që zëri i tyre të dëgjohet në Parlamentin e Zvicrës, në Bernë.

Kjo kandidaturë përbën një zhvillim me interes edhe për komunitetin shqiptar në Zvicër. Shqiptarët janë pjesë aktive e shoqërisë zvicerane, kontribuojnë në ekonomi, jetën sociale dhe institucionet e vendit, ndërsa përfaqësimi i tyre në politikën federale mbetet një çështje me rëndësi për komunitetin.

Zgjedhjet për Parlamentin Federal të Zvicrës janë caktuar të mbahen më 24 tetor 2027, ndërsa kandidatura e Kujtim Ahmetit do të jetë pjesë e garës politike në kantonin Aargau./Telegrafi/