I ftuar në një intervistë në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, Oltion Rrumbullaku, ekspert ekonomie, ka folur për mungesën e planifikimit të projektit hekurudhor Tiranë-Durrës-Rinas, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si qeveria e Edi Ramës po menaxhon një investim të rëndësishëm publik.
Rrumbullaku u shpreh se, pavarësisht viteve të diskutimeve, ende nuk ka një përcaktim të qartë për vendndodhjen e stacionit kryesor të trenit në Tiranë, ndërsa qytetarët pritet të përdorin përkohësisht terminalin në Kthesën e Kamzës, larg qendrës së kryeqytetit.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për shkurtimin e segmentit drejt Rinasit, duke theksuar se ndryshimet në projekt dhe mungesa e një koordinimi mes infrastrukturës hekurudhore dhe stacioneve tregojnë mungesën e një vizioni të qartë për investimin.
Eksperti tha se është e papranueshme që një projekt i kësaj rëndësie të diskutohet pa pasur të përcaktuara më parë stacionet, vendndodhjen dhe funksionalitetin e tyre, ndërsa institucionet duhet të kishin zgjidhur këto çështje përpara nisjes së zbatimit të projektit.
Pjesë nga intervista:
Stacionet e trenit janë vepra shumë të mëdha publike, infrastrukturore. Diskutohen me vite. Pavarësisht se ju keni përmendur stacionin e Rinasit, akoma nuk dihet ku do të jetë stacioni në Tiranë. Pra, kjo ka 2-3 vite në ministri. Ato letra që ju patë për tiranasit qarkullojnë përsëri: ku do të jetë stacioni në Tiranë?
Nuk kemi për momentin një stacion treni. Nuk e dimë ku do të jetë stacioni fundor në Tiranë. Stacioni, nëse mund të themi, te Kthesa e Kamzës, është një stacion i ndërmjetëm, stacion që mund ta gjesh në një fshat në Itali, shumë i vogël.
Po stacioni në Tiranë, që pretendohet se do të jetë diku në Bulevardin e Ri, nuk dihet se ku do të jetë. Do të jetë në fillim apo në fund të bulevardit? Zë vend dhe vendi gjithmonë është prioritet për gjëra të tjera, dhe nuk është prioritet për gjëra publike.
Stacioni, në fakt, në Rinas, është edhe më i rëndë, sepse në këto momente flasim, meqë nuk e dimë se ku do të jetë stacioni. Ka qenë parashikuar të shkonte deri në aeroport, është miratuar, është dhënë edhe fondi, nëse mund ta themi, 7.7 apo 5.8 km, aty ku ndahet për Durrës dhe për Rinas. Dhe tani ka shkuar diku te 5.1 km. Në qoftë se do ta shihni në hartë, është shumë afër, është më larg Rinasit sesa POK-ës, pra stacioni diku në Laknas, sepse, ashtu siç e kanë shtyrë, ata mund ta shtynin edhe 1 km tjetër, deri në Laknas.
Pra, bëhet fjalë për 6 km dhe atë 6 km e kanë shkurtuar gati.
Po flasim gjithmonë për stacionin nga Kthesa e Kamzës. Nëse do të përfundojë në vitin 2028, ku flasim që do të nisemi nga Kthesa e Kamzës, aty ku është terminali. Terminali që është ndërtuar aty është edhe ai që nuk ka përfunduar. Se besoj do të përpiqet ta shesin si sukses për zgjedhje, një terminal mediokër komplet. Një shtet që... Koha dhe veprat e infrastrukturës, terminali i autobusëve dhe bashkë me stacionin qesharak të trenit. Po të shkosh në fshatrat e jugut të Italisë, i ke më serioze stacionet e trenit.
Dhe ai do të jetë përkohësisht, besoj, për nja 4-5 vjet, do të jetë stacioni i trenit të Tiranës, derisa të bëhet ky stacioni që ne themi se nuk dihet ku të jetë, sepse nuk është e lehtë të bësh një stacion treni. Aty do t'ia vësh edhe lejen për ndërtesa apo kulla.
Kështu që, në këtë rast, ne do të kemi një stacion treni diku afër Rinasit, por që do të ketë vështirësi përdorimi, dhe do të kemi një stacion treni, besoj, për 2 vitet e ardhshme në Kthesën e Kamzës, që do të ketë një distancë shumë të madhe nga pikat kryesore të qytetit.
Ky është problemi që ne nuk... Janë shmangur nga diskutimi gjithë këto gjëra. Kjo gjë duhet të diskutohej nga ministria. Edhe të huaj, etj., etj. Nuk është se duhet të bëhen publike. Këto janë detyrime që vetë shteti, vetë ata punonjës që duhet të jenë brenda administratës, duhet të jenë të shqetësuar për këto lloj projektesh, për t'ua dhënë lajmin në mënyrë informale palëve. Se unë dje po shihja për Milanin: diskutohet se do të hapej një linjë e re metroje dhe diskutohej se në çfarë vendi do të jetë pika e metrosë që do të dalë. Nuk ka as plane të tilla, sepse nuk ka vende më se ku do të jenë stacionet e metrove, trenave. Të gjitha këto lihen po mbeti ndonjë hapësirë.
© SYRI.net