Shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur Primo Shllaku ka folur për herë të parë për betejën e bashkëshortes së tij të ndjerë me sëmundjen e Alzheimer-it. Në një intervistë për “S’e luan Topi”, Shllaku foli fillimisht për njohjen dhe historinë e dashurisë me bashkëshorten.
“Ka qënë njeriu më i rëndësishëm i jetës sime dhe njeriu që më ka mbështet dhe më ka dal zot në gjithë jetën time.”-tha Shllaku duke treguar se familja e bashkëshortes nuk kishte qenë dakord për lidhjen e tyre.
Pjesë nga intervista:
Erjona: Sa vite zgjati martesa juaj?
Shllaku: 54 vjet njohje, martesë edhe patologji, sëmundje. Në 26 dhjetor mbushen 2 vite që u nda nga jeta.
Erjona: Pati një periudhë vuajtje, sa vjeçare?
Shllaku: Nja 4 vjet e gjysmë por gjithmonë në kreshendo, doktorët më thanë që do ta ndihmojnë, por ajo kishte pasur Alzheimer dhe ai nuk ka shërim.
Erjona: Keni thënë që u transformua si njeri, po ju si e keni përjetuar këtë transformim?
Shllaku: Unë një periudhë të gjatë kohe, spo doja ta besoja që ajo u bë kështu. Refuzoja fort ta besoja dhe kisha shpresa të mëdha që do ta nxjerr nga ajo humbëtirë ku kishte ra. Deri sa më thanë në Dyseldorf se ka një sëmundje që nuk shërohet. Ndejti 2 vjet e gjysmë në atë gjendje.
Erjona: Keni thënë që po të mund të flisja do ta pyesja: A je mirë atje?
Shllaku: Kjo ka lidhje me një ngjarje, kur filloi të përkeqësohej rrinte te dera e shtëpisë dhe ne e mbyllnim dhe kishim zhdukur çelësat. Më thoshte-më ler të dal se do iki në shtëpinë time. Po të gjente derën e hapur zhdukej, disa herë ma ka sjellë policia. Shkonte tek pikat e karburantit dhe i thoshte kam humbur shtëpinë, lajmëroni policinë. Pra fakti që ajo kërkonte me ik te shtëpia ime, unë nuk arrija ta kuptoja. Në fakt duket e gjeti shtëpinë e vet dhe donte me shku me pushu.