Seanca për parashkrimin e dënimit me 2 vite burg, GJKKO rrëzon kërkesën e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla
Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Shkodrës në kuadër të operacionit të koduar “Target”. I arrestuar është shtetasi Luçian Mëhilli, i shpallur në kërkim dhe i dyshuar si bashkautor në vrasjen e shtetasit V. F., më 21 shtator 2023, në fshatin Hot të Ri.
Bashkë me të është arrestuar edhe 26-vjeçari Kristjan Çarkaj, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe për veprimtari në fushën e narkotikëve. Gjatë operacionit, policia sekuestroi lëndë të dyshuara narkotike cannabis dhe kokainë, një automjet dhe dy telefona celularë.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
DVP Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Target”.
Kapet dhe ndalohet një 23-vjeçar i shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkautor në vrasjen e një shtetasi, në vitin 2023, në fshatin Hot i Ri.
Arrestohet në flagrancë edhe një 26-vjeçar, që udhëtonte në të njëjtin automjet me të, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe për veprimtari në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen sasi të dyshuara lëndësh narkotike cannabis dhe kokainë, një automjet dhe 2 celularë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Target”.
Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u kap dhe u ndalua shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shtetasi L. M. dyshohet se, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka vrarë shtetasin V. F., më datë 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Ç., 26 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Këta dy shtetas u kapën në aksin rrugor “Shkodër–Prekal”, duke lëvizur me një automjet tip “Opel”.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së shtetasit L. M., iu gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Lëndët e dyshuara narkotike, automjeti dhe 2 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel