Aktualitet

Në kërkim për vrasje në Hot të Ri, arrestohet 23-vjeçari në Shkodër!

Një 23-vjeçar u ndalua në Shkodër, i dyshuar si bashkautor në vrasjen e një shtetasi, në vitin 2023, në fshatin Hot i Ri. Policia arrestoi në flagrancë edhe një 26-vjeçar, që udhëtonte në të njëjtin automjet me të, për përkrahje të autorit të krimit dhe veprimtari në fushën e narkotikëve.

Shtetasi Luçian Mëhilli dyshohet se, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka vrarë shtetasin V.F., më 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë Kristjan Çarkaj, 26 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Këta dy shtetas u kapën në aksin Shkodër-Prekal, duke lëvizur me një automjet tip “Opel”.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së shtetasit L.M., u gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale bashkë me automjetin e dy celularë.