TIRANË- Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla nuk do t’i shpëtojë dënimit me 2 vite burg për fshehje pasurie. Gjykata e Posaçme i rrëzoi këtë të hënë kërkesën për parashkrimin e dënimit, ndërsa Llalla është në kërkim prej vitit 2021 dhe ndodhet në Itali.
Kërkesa ishte depozituar më 12 tetor në Gjykatën e Posaçme. Llalla kërkonte pushimin e ekzekutimit të dënimit, me argumentin se kishin kaluar pesë vite nga vendimi i formës së prerë pa e vuajtur dënimin.
Ish-kryeprokurori u dënua në pranverën e vitit 2021, ndërsa Apeli i Posaçëm e la në fuqi vendimin më 22 shtator të po atij viti. Ai u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tri episode, që lidhen me shpenzimet për lindjen e djalit, ndërtimin e katit të tretë të një banese dhe shkollimin e vajzës në Gjermani.
Krahas dy viteve burg, gjykata vendosi konfiskimin e një apartamenti në Durrës dhe të rreth 22 mijë metrave katrorë tokë në periferi të Tiranës. Llallës iu hoq gjithashtu e drejta për të ushtruar funksione publike për pesë vite.
Llalla u largua nga Shqipëria përpara se vendimi të merrte formë të prerë dhe kërkoi azil politik në Itali. Ai u arrestua atje në dhjetor të vitit 2021, por më pas u lirua për shkak të gjendjes shëndetësore, me kushtin që të mbahej nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane.
Më herët, avokati i Llallës i kishte kërkuar Gjykatës së Lartë pezullimin e dënimit, me pretendimin se ish-kryeprokurori vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Edhe ajo kërkesë u rrëzua.












Komente
Komento