Për herë të dytë brenda dy javësh, një dyqani lulesh në pronësi të Asllan Koçit i është vënë tritol. Shpërthimi ndodhi gjatë natës në zonën e Tufinës, në Tiranë.

Pas shpërthimit të parë të regjistruar më 1 nëntor, 65-vjeçari thotë se ka qëndruar çdo natë roje. Për Report Tv, ai tregon se i kanë marrë para dhe i kanë kërkuar edhe 24 milionë lekë të reja. Koçi dyshon se të dyja ngjarjet lidhen me borxhet e të birit nga lojërat e fatit.

“Situata është shumë keq, kjo është hera e dytë. Prej djalit që luan bixhoz, më kanë marrë lekë, duan dhe 240 milionë. Përnatë kam qëndruar roje. Policia ka nisur kërkimet, por ende nuk e ka kapur”, thotë ai për Report Tv.

Policia i ka bashkuar hetimet për të dyja shpërthimet. Nga veprimet e deritanishme dhe deklarimet e marra, hetuesit dyshojnë se pas tyre mund të qëndrojnë konfliktet e djalit të pronarit me disa persona për borxhe nga lojërat e fatit.

"Më datë 15.11.2026, rreth orës 23:15, në Tufinë, në një dyqan lulesh, në pronësi të shtetasit A. K., është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e dyshuar lënde plasëse. Si pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale", njoftoi Policia. 

Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.