
Një 23-vjeçar është ndaluar pasi dyshohet si bashkautor në vrasjen e një shtetasi, në vitin 2023, në fshatin Hot i Ri.
Policia arrestoi në flagrancë edhe një 26-vjeçar, që udhëtonte në të njëjtin automjet me të, i dyshuar për përkrahje të autorit të krimit dhe për veprimtari në fushën e narkotikëve.
Shtetasi L. Mëhilli dyshohet se, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka vrarë shtetasin V. F., më datë 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Çarkaj, 26 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Këta dy shtetas u kapën në aksin rrugor “Shkodër–Prekal”, duke lëvizur me një automjet tip “Opel”.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së shtetasit L. M., iu gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Lëndët e dyshuara narkotike, automjeti dhe 2 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
