Interpretimi i melodisë së një kënge serbe që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë shkaktoi reagime politike gjatë një koncerti të organizuar për të promovuar bashkimin e kulturave evropiane. Pas polemikave, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, shprehu keqardhje për përzgjedhjen e saj.
Koncerti u mbajt më 15 nëntor në Bruksel, në mbrëmjen hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Komisioni Evropian. Programi, i titulluar “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, përfshinte pjesë muzikore nga vendet e procesit të zgjerimit dhe melodinë e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.
Të lidhura
None found
Vargjet e këngës përmbajnë pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshtojnë heqjen dorë prej saj. Megjithatë, gjatë koncertit nuk u këndua teksti: sipas pjesëmarrësve, u luajt vetëm melodia, ndërsa titulli i këngës u shfaq në ekran.
Përfshirja e saj në një aktivitet të Komisionit Evropian solli reagime nga zyrtarë të Kosovës dhe nga raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian. Ata kërkuan të dinin si ishte përzgjedhur repertori.
Duke folur me gazetarët më 16 nëntor, pak përpara nisjes së Forumit, Kos tha se i vinte keq për zgjedhjen e bërë nga muzikantët dhe nënvizoi se kënga nuk përfaqëson në asnjë mënyrë qëndrimet e Komisionit Evropian. Ajo tha se i njeh vuajtjet dhe sakrificat që njerëzit në këtë pjesë të Evropës kanë përjetuar në të kaluarën. Sipas saj, pajtimi është i rëndësishëm, por nuk kërkon harrimin e dallimeve dhe të përvojave historike; synimi është ndërtimi i një Evrope ku ato të mos pengojnë të ardhmen.
Kënga “Sa Kosova zora sviće”, që në shqip do të thotë “Nga Kosova zbardh agimi”, njihet edhe si “Oj Kosovo, Kosovo”. Ajo u krijua në vitin 1989 nga këngëtari dhe kompozitori serb Lubomir Manasijeviq. Siç i ka rrëfyer autori gazetës serbe “Večernje novosti”, frymëzimi i erdhi nga përjetimet gjatë shënimit të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës në Manastirin e Graçanicës, në qershor të vitit 1989.
Në tekst ndërthuren historia mesjetare dhe trashëgimia fetare serbe me pretendime për përkatësinë territoriale të Kosovës. Një varg thotë “Ne damo te Kosovo”, që përkthehet “Nuk të japim, Kosovë”; një tjetër e paraqet Kosovën si tokë që u ka përkitur gjithmonë serbëve dhe që ata e kanë trashëguar nga të parët. Mediat serbe e kanë përshkruar këngën si patriotike, ndërsa mesazhet e saj nacionaliste kundërshtojnë heqjen dorë nga Kosova.
Krijimi i këngës përkoi me ngritjen e nacionalizmit serb nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit. Po në vitin 1989, autoritetet serbe e kufizuan në mënyrë drastike autonominë e Kosovës dhe përshkallëzuan represionin politik e institucional ndaj shqiptarëve. Një dekadë më pas, Kosova u përfshi në luftën e viteve 1998-1999. Ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia vazhdon të mos e njohë.
Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, e kritikoi interpretimin e melodisë. Ai e lidhi përmbajtjen e këngës me kohën kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit po kufizonte të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe kërkoi nga Komisioni Evropian shpjegime si për zgjedhjen e saj, ashtu edhe për mungesën e një ftese në Forum për përfaqësuesit institucionalë të Kosovës.
Ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, tha se përfshirja e këngës ishte e papranueshme në një aktivitet kushtuar zgjerimit evropian dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Sipas tij, pretendimet politike mbi territorin e Kosovës që përmban teksti bëjnë që interpretimi të mos mund të shihet thjesht si shkëmbim kulturor. Bajrami i kërkoi Komisionit Evropian dhe komisioneres Marta Kos të sqaronin kush e kishte zgjedhur dhe miratuar repertorin muzikor.
Reagimeve iu bashkua raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras. Ai tha se incidenti mund të ketë qenë provokim i qëllimshëm ose pasojë e mosdijes së organizatorëve. Terras e cilësoi të papërshtatshëm interpretimin, në një aktivitet evropian për zgjerimin, të një kënge me pretendime ndaj sovranitetit të Kosovës dhe kërkoi shpjegim nga Komisioni Evropian.






