'Rama në grahmat e fundit politike', Konomi: Asambleja e PS-së si ditët e fundit të Stalinit dhe Hitlerit

'Rama në grahmat e fundit politike', Konomi: Asambleja e PS-së si ditët e fundit të Stalinit dhe Hitlerit

09:42, 16/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në një lidhje Skype në emisionin ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, gazetari Arjan Konomi komentoi mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste, duke e krahasuar atmosferën brenda sallës me ditët e fundit të diktatorëve Stalin dhe Hitler.

 Konomi tha se Rama, gjatë fjalimit, shfaqi nervozizëm, mllef dhe përbuzje ndaj të pranishmëve, ndërsa deputetët dukeshin të nënshtruar dhe pa asnjë peshë përballë kryetarit.

Për të ilustruar situatën, gazetari solli edhe një episod nga ditët e fundit të Stalinit, duke thënë se pamja e deputetëve në sallë i kujtoi bashkëpunëtorët e diktatorit sovjetik, të cilët kishin frikë të reagonin edhe kur mendonin se ai kishte vdekur.

Konomi theksoi se deputetët socialistë, të cilët për më shumë se 10 vite kanë pasur peshë politike dhe ndikim në opinionin publik, sot kanë humbur rolin e tyre në vendimmarrjen dhe forumet drejtuese të partisë, ku gjithçka është përqendruar te fjala e Edi Ramës.

Pjesë nga intervista:

Vështirë të thuash për Ramën se çfarë shkoi mirë. E tëra, në këndvështrimin tim, ishte një e keqe e madhe e Ramës, që e dëshmoi tani dhe publikisht. Unë bëra një eksperiment, si të thuash, duke i hequr zërin Ramës në fjalën e tij në këtë asamble dhe duke parë vetëm mimikën e tij. Nëse nuk e dëgjon zërin dhe shikon mimikën, atëherë ndjesia që ti përcjell nga fytyra dhe plastika e fytyrës është e tmerrshme.

Domethënë, kupton se ke të bësh me një njeri që ka një psikopati mendore, ose është në një delir nervor dhe me sy të zgurdulluar, me një mimikë që lëviz çuditshëm. Dhe këtu u befasova, të them të drejtën, duke kuptuar se çfarë po ndodh pa dashur të dëgjoj se çfarë po ndodh.

Kjo tregon se janë ato grahmat e fundit politike të Edi Ramës, i cili përpiqet pastaj, edhe kur e dëgjon me zë, që mban frymëmarrjen nga nervat, nga mllefi, urrejtja dhe përbuzja që ka për ata që ka aty në sallë. Dhe, për të qenë brenda konjukturave televizive apo të ekranit, përpiqet të flasë në mënyrë të sforcuar, që të duket sa më i qetë përpara kamerave dhe opinionit publik.

Unë, si një biograf i shumë figurave të historisë njerëzore, por edhe njohës i shumë të tjerëve, më kujton ato kohët e fundit të diktatorëve të ndryshëm. E tërë kjo asamble më kujtoi një skemë ku janë momentet e fundit të Stalinit, kur kishin kërkuar që Stalini kishte vdekur dhe, në shtratin e tij, bashkëpunëtori më i ngushtë, që do të ishte edhe pasuesi i Stalinit, Lavrenti Beria, një nga personat më të tmerrshëm dhe më të fuqishëm të Bashkimit Sovjetik, bashkë me nja dy të tjerë, e pështynë në fytyrë Stalinin, se menduan që kishte vdekur. Ai hapi sytë dhe kërkuan falje, se u tmerruan kur kuptuan që nuk kishte vdekur. Pra, gjithë ajo asamble e PS-së, kur shikoja ata nga kamerat, dukej sikur ishin Lavrenti Beria, që donin t'ia pështynin në fytyrë Edi Ramës, por kishin frikë se nuk kishte vdekur akoma.

Ose më kujton, po marrim një rast tjetër, Hitlerin. Hitleri, disa muaj përpara se të rrëzohej dhe nazizmi të binte, ndodhi një operacion shumë i fortë për rrëzimin e Hitlerit, Operacioni Valkyrie, që nisi me një atentat dhe u përpoqën që t'i merrej pushteti drejtuesve të nazizmit, duke menduar që Hitleri kishte vdekur. Kjo nuk ndodhi, dështoi operacioni dhe u duk sikur Hitleri ishte më i fuqishëm se kurrë dhe kishte në kontroll gjithçka, si nga ushtria, si nga hierarkia dhe nga e gjithë partia naziste, ndërkohë që nuk ishte e vërtetë. Këtë situatë ma solli para syve kjo mbledhje e asamblesë së PS-së, që është tashmë qesharake, sepse nuk kanë asnjë vlerë më, për sa i përket... Përveç fjalës së kryetarit, nuk kanë asnjë vlerë për ata.

Imagjinoni se sa peshë ka pasur mbi 10 vjet deputeti, peshë edhe në opinionin publik, peshë edhe në forumet drejtuese të partive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco