Trafik i rënduar dhe kaos në Unazën e Madhe që në orët e para të ditës. Një qytetar ka denoncuar përmes një videoje sjelljen e disa drejtuesve të automjeteve, të cilët, për të shmangur radhën e trafikut, kalojnë në hapësirat e vijëzuara anësore dhe në korsinë e emergjencës.
Ndërkohë që dhjetëra automjete presin në radhë për të vijuar lëvizjen, shoferë të tjerë zgjedhin të kalojnë përmes hapësirave anësore, duke parakaluar automjetet e tjera dhe duke shtuar kaosin në rrugë.
I revoltuar nga kjo situatë, qytetari ngre shqetësimin për mungesën e kontrolleve dhe ndërhyrjes së autoriteteve, duke ironizuar se ata që respektojnë radhën dhe rregullat e qarkullimit po penalizohen përballë drejtuesve që i shkelin ato.
“Ne jemi budallenj që po presim këtu në trafik”, shprehet ai, ndërsa në video shfaqen automjete të tjera që vijojnë të futen në hapësirat anësore për të kaluar radhën.
Qytetari kërkon vëmendjen e autoriteteve për marrjen e masave dhe garantimin e zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor, në mënyrë që respektimi i radhës të mos kthehet në disavantazh për drejtuesit e përgjegjshëm të automjeteve.