Gjonaj pa energji elektrike, shkolla dhe QMF-ja në vështirësi
Një pjesë e banorërve e fshatit Gjonaj, tash e katër ditë po përballen me probleme në furnizimin me energji elektrike, pasi që nga dita e premte, pas motit të keq, erërave të forta dhe reshjeve atmosferike, kjo pjesë e fshatit ka mbetur vetëm me një fazë të energjisë elektrike.
Pavarësisht kërkesave dhe thirrjeve të vazhdueshme të kryetarit të Këshillit Lokal të Gjonajt dhe Tupecit, Herolind Osmanollaj, drejtuar kompanisë KEDS për intervenim dhe sanimin e defektit, problemi ende nuk është zgjidhur.
Situata ka shkaktuar vështirësi jo vetëm për dhjetëra familje, por edhe për institucionet publike që ofrojnë shërbime për banorët e kësaj zone.
Si pasojë e mungesës së furnizimit të rregullt me energji elektrike, SHFMU “Zenun Çoçaj” në Gjonaj është detyruar ta zhvillojë procesin mësimor në kushte të vështira, pa energji elektrike dhe me orar të shkurtuar.
Vështirësi në funksionim po përballet edhe Qendra e Mjekësisë Familjare (QMF) në Gjonaj, ku mungesa e energjisë elektrike ndikon në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Përmes një reagimi publik, kryetari i Këshillit Lokal, Herolind Osmanollaj, ka kërkuar nga KEDS-i që ta trajtojë këtë problem me urgjencë dhe të dërgojë ekipet përgjegjëse në terren për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike.
“Është shqetësuese që edhe në vitin 2026, një shkollë, një qendër shëndetësore dhe dhjetëra familje të përballen me mungesë të furnizimit të rregullt me energji elektrike për katër ditë rresht. Pavarësisht kërkesave dhe thirrjeve të vazhdueshme drejtuar KEDS-it për intervenim, deri më tani problemi nuk është zgjidhur. Kërkojmë nga KEDS-i që ta trajtojë këtë çështje me urgjencë dhe të dërgojë ekipet përgjegjëse për sanimin e defektit", ka theksuar ai.
Ndërkohë, banorët presin që KEDS-i të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij problemi, në mënyrë që familjet, shkolla dhe QMF-ja të mund t'i kthehen funksionimit normal. /rtk/




























