Portieri i Cagliarit, Elia Caprile, ka folur për karrierën, sakrificat për të arritur në nivelet më të larta, largimin nga Napoli i Antonio Contes, kombëtaren italiane dhe mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë.
I nënvlerësuar që në fëmijëri për shkak të fizikut, Caprile ka treguar se disa herë ka menduar të hiqte dorë nga futbolli. “Forca që më ka motivuar gjithmonë ka qenë dëshira për t’u mbyllur gojën atyre që nuk besonin tek unë. Disa trajnerë silleshin keq me mua. Nuk luaja sepse isha i shkurtër dhe i shëndoshë. Në moshën 15-16 vjeç humba disi rrugën, por dy trajnerë portierësh, Bressan dhe Squizzi, më ndihmuan ta gjeja sërish. Më bënë të kuptoja se futbolli kërkon sakrifica”, – rrëfeu ai për “Corriere della Sera”.
Për të ardhmen, 23-vjeçari theksoi se aktualisht mendon vetëm për Cagliarin, të cilin e konsideron “Champions-in e tij”. Caprile tregoi edhe arsyen e largimit nga Napoli, ku Conte i kishte ofruar konkurrencën me Meret: “Ai zgjodhi Alex dhe bëri mirë, sepse fitoi titullin, por unë isha 23 vjeç dhe kisha nevojë fizike të luaja. Pa ndeshjen e së dielës, më mungonte një pjesë e vetes”.
Sa i përket kombëtares, ai u shpreh: “Besoj se jam në nivelin e Italisë dhe po e dëshmoj këtë. Duhet të përqendrohem te gjërat që varen nga unë”.
Për mundësinë e përfaqësimit të Shqipërisë, për shkak të origjinës së partneres së tij, Emily, shtoi: “Deri tani askush nga federata atje nuk më ka kontaktuar. Nëse do ta bëjnë, do ta shqyrtoj si mundësi”.







