Rajoni

“Kosova është e Serbisë”, eurokomisionerja Kos e keqardhur për këngën!

Një koncert që synonte të promovonte bashkimin e kulturave europiane nxiti reagime politike, pasi aty u interpretua një kënge serbe që e paraqet Kosovën si pjesë të Serbisë. Polemika bëri që eurokomisionerja e Zgjerimit, Marta Kos, të shprehte keqardhje për përzgjedhjen e bërë.

Kjo ndodhi dje në Bruksel, gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, të organizuar nga Komisioni Evropian.

Në koncertin e titulluar “Meloditë e unitetit: Harmoni nga udhëkryqi i Evropës”, krahas pjesëve muzikore nga vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, u interpretua edhe melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”.

Teksti i këngës përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe kundërshton heqjen dorë prej saj.

Gjatë koncertit, nuk u kënduan vargjet e këngës. U interpretua vetëm melodia, ndërsa titulli u shfaq në ekran.

Përfshirja në një aktivitet të Komisionit Evropian nxiti reagime nga zyrtarët e Kosovës dhe raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, që kërkuan shpjegime për mënyrën e përzgjedhjes së repertorit.

Në një prononcim për gazetarët, Kos shprehu keqardhje për përzgjedhjen e këngës, duke theksuar se në asnjë mënyrë, ajo nuk pasqyron qëndrimet e Komisionit Evropian.

Zyrtarja europiane u shpreh se është e vetëdijshme për vuajtjet dhe sakrificat e njerëzve në këtë pjesë të Evropës gjatë së kaluarës dhe theksoi rëndësinë e pajtimit, pa harruar dallimet dhe përvojat historike.

Ne nuk kërkojmë që dallimet të harrohen, por po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk do të jenë arsye për të penguar të ardhmen, tha Kos.