
Kombëtarja shqiptare e ka mbyllur me sukses aventurën në Ligën e Kombeve, duke siguruar jo vetëm vendin e parë në grupin e saj, por edhe një përfitim të rëndësishëm financiar për Federatën Shqiptare të Futbollit.
Suksesi në fushën e lojës përkthehet edhe në të ardhura për FSHF-në. Institucioni që drejton futbollin shqiptar pritet të arkëtojë të paktën 2.4 milionë euro nga UEFA për këtë edicion të kompeticionit.
Shuma përbëhet nga 1.2 milionë euro që UEFA u akordon federatave pjesëmarrëse në Ligën C për shpenzime administrative, si dhe 1.2 milionë euro të tjera si shpërblim për skuadrat që përfundojnë në krye të grupit.
Shqipëria e siguroi këtë bonus pas triumfit 0-2 ndaj Bjellorusisë në Hungari, rezultat që vulosi vendin e parë në grup.
Kuqezinjtë e mbyllën këtë fazë me 15 pikë, duke regjistruar një bilanc pozitiv prej 12 golash të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar.
Kështu, përfaqësuesja shqiptare ia doli të përmbushë objektivin sportiv, ndërsa FSHF-ja përfiton edhe një shpërblim të konsiderueshëm financiar nga UEFA. Një sukses në dy fronte për futbollin shqiptar.