“Kërkesat janë absurde”, Kallas flet për kushtet e Rusisë për paqe në Ukrainë
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i ka cilësuar absurde kërkesat e Rusisë në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ajo ka theksuar se përparësi duhet të jetë arritja e një armëpushimi, përpara se palët të diskutojnë kushtet e një marrëveshjeje paqeje.
Duke folur përpara takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, më 16 nëntor, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë u shpreh se negociatorët që merren me Moskën duhet të këmbëngulin për ndalimin e luftimeve, përpara se të shqyrtojnë kushtet e paraqitura nga Kremlini.
“Nuk mendoj se kërkesat ruse janë serioze. Dua të them, këto janë kërkesa absurde që ata kanë paraqitur. Pra, përsëri, nëse është një pretekst për të vazhduar luftën, për të pasur sa më shumë shkatërrime të jetë e mundur, atëherë duhet të jemi të sigurt dhe të shtyjmë këdo që të jetë ekipi negociator që të shtyjë për një armëpushim”, tha Kallas.
Ajo theksoi se ekipi negociator evropian duhet ta bëjë ndalimin e vrasjeve një kusht paraprak për zhvillimin e bisedimeve thelbësore për paqen.
“Ndalojeni këtë [vrasjen e ukrainasve] dhe pastaj mund të ulemi dhe të negociojmë marrëveshjen e paqes”, u shpreh ajo.
E pyetur për përbërjen e delegacionit evropian që do të marrë pjesë në negociata, Kallas tha se vendimi u takon udhëheqësve të BE-së. Megjithatë, ajo bëri të ditur se do të vijojë të angazhohet në përgatitjen e përmbajtjes së negociatave.
“Udhëheqësit vendosën kështu, kështu që është vendimi i tyre. Por siç thashë, kam ministrat e jashtëm çdo muaj, kam ekspertët në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm që i njohin negociatat e mëparshme, të cilët janë ekspertë edhe për Rusinë. Kështu që mund të vazhdoj të punoj mbi substancën për ta mbajtur fokusin edhe te thelbi”, tha ajo.
Kallas kishte ofruar më herët të shërbente si përfaqësuesja e vetme e Evropës në negociatat me Rusinë për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës, duke iu referuar mandatit që mori në vitin 2024, kur u emërua për të përfaqësuar Bashkimin Evropian.
Ajo kujtoi gjithashtu se së bashku me ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së kishte hartuar një listë me kërkesa maksimale, si kundërpërgjigje ndaj kushteve të paraqitura nga Moska për përfundimin e konfliktit. Ndër propozimet e kësaj liste është kërkesa që trupat ruse të tërhiqen nga çdo vend ku Rusia aktualisht mban prani ushtarake.
“Ne kemi ndikim, domethënë sanksionet tona, domethënë asetet e ngrira”, deklaroi Kallas.
Kallas komentoi gjithashtu kërkesat e presidentit rus, Vladimir Putin, për rikthimin e NATO-s në kufijtë e vitit 1997. Ajo kujtoi se Rusia po përsërit pothuajse fjalë për fjalë ultimatumin e paraqitur përpara pushtimit të Ukrainës, duke kërkuar tërheqjen e NATO-s, ndalimin e furnizimit me armë të Ukrainës dhe përjashtimin e mundësisë së anëtarësimit të Kievit në Bashkimin Evropian.
Sipas Kallas, këto kërkesa nuk mund të pranohen dhe përbëjnë një tjetër pretekst të Moskës për të vazhduar luftën.
“Pastaj, e dini, në vitin 2021, kishte një pretekst të qartë për luftë, rusët po jepnin një listë me kërkesat e tyre. Dhe tani po paraqesin të njëjtat kërkesa dhe po i shtojnë ato. Pra, ky është gjithashtu një pretekst i qartë për ta vazhduar luftën. Pra, duhet ta kemi të qartë këtë. Do ta bëjmë”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, Këshilli i Bashkimit Evropian pritet të shtojë më 16 nëntor 145 individë dhe subjekte juridike në listën e sanksioneve ndaj Rusisë.
Gazeta The New York Times raportoi më herët se gjatë negociatave në Abu Dhabi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Rusia kishte përsëritur kërkesën që NATO të tërhiqte forcat e saj në pozicionet që aleanca mbante në vitin 1997.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka paralajmëruar kundër rreziqeve që paraqet rishikimi i arkitekturës ekzistuese të sigurisë në Evropë. Sipas tij, pikërisht këtë synon Rusia.
👏 Kaja Kallas mocks Putin’s demands to roll NATO back to its 1997 borders As a reminder, Russia is repeating almost word for word the ultimatum it issued before the invasion: NATO must roll back, no weapons for Ukraine, and no EU membership for Kyiv. Kallas made it clear that none of this is up for discussion: “Then, you know, in 2021, there was a clear, you know, pretext for war that the Russians were giving a list of their demands. And now they’re presenting the same demands and adding to it. So this is also a clear pretext for keeping the war going. So we have to be clear eyed about this. We will.”
— NEXTA (@nexta_tv) November 16, 2026
Jordania bllokon aplikacionin Telegram pas një sulmi vdekjeprurës në kishë, për të parandaluar ekstremizmin
Ukraina godet infrastrukturën strategjike që lidh Rusinë me Krimenë, Moska njofton kufizime në qarkullim
Tragjedi në Tajlandë, 11 viktima nga zjarri që përfshiu një ndërtesë në Phuket (VIDEO)
- 10:51 Qarkullonte me pistoletë, arrestohet 23-vjeçari në Vlorë, në pranga edhe shoferi 37-vjeçar
- 10:30 Franca ndalon shitjen dhe përdorimin e fishekzjarrëve pas përshkallëzimit të protestave
- 10:25 Shpërthimi i dytë në 14 ditë, tritol dyqanit të luleve në Tufinë
- 10:15 Vdes 26-vjeçarja në Prizren, po merrej në pyetje nga antidroga kur iu përkeqësua gjendja shëndetësore
- 09:51 “Kosova është e Serbisë”, Kos shpreh keqardhje për këngën që nxiti reagime në Forumin e Zgjerimit
- 09:48 Reshje shiu në gjithë vendin, meteorologia Porja: Të mërkurën dhe të premten priten rrebeshe