Bota

Qendër deportimi në Ruandë, 5 vende europiane pritet të shpallin planet!

Pesë vende europiane sot pritet të shpallin planet për të dërguar në një qendër deportimi në Ruandë, azilkërkuesit të cilëve u është refuzuar kërkesa. Këtë e thanë dy burime të njohura me planet.

Gjermania, Austria, Greqia, Danimarka dhe Holanda thanë në shtator se po punonin për të arritur një marrëveshje me një vend jashtë BE-së për ngritjen e të ashtuquajturave qendra kthimi. Nisma është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë europiane për të shtuar deportimet dhe për të frenuar migracionin e parregullt.

Akordi që pritet të shpallet në Vjenë, vjen pas miratimit të rregullores së re të BE-së për kthimet e që synon të përshpejtojë deportimet dhe u lejon vendeve anëtare të krijojnë qendra kthimi jashtë Unionit.

Skema e re do të zbatohej vetëm për emigrantët që kanë shteruar të gjitha rrugët ligjore për të qëndruar në Bashkimin Europian. Plani britanik për deportimet në Ruandë, që u braktis, përfshinte edhe azilkërkuesit me kërkesa ende në shqyrtim.

Këshilli i Europës deklaroi në korrik se qendrat e kthimit paraqesin “rreziqe të konsiderueshme për të drejtat e njeriut”.

Zyrtarët europianë që mbështesin ngritjen e qendrave thonë se synimi kryesor i kësaj politike është të frenojë emigracionin e parregullt. Sipas tyre, deportimet në shkallë të gjerë nuk janë objektivi kryesor.

Ruanda, e gatshme të presë migrantët

Ruanda është treguar e gatshme të pranojë emigrantët që vendet perëndimore duan të deportojnë, pavarësisht shqetësimeve për respektimin e të drejtave të njeriut në vend.

Presidenti Paul Kagame është vlerësuar nga udhëheqës perëndimorë dhe të rajonit për rolin e tij në përfundimin e gjenocidit të vitit 1994 në Ruandë e në rindërtimin e vendit, duke e kthyer në destinacion për investime dhe ndihma.

Por, kritikët e akuzojnë qeverinë e tij se shtyp zërat kundërshtues dhe mbështet grupin rebel M23 në Republikën Demokratike fqinje të Kongos.