Bota Botë e Çuditshme

Hapet shkolla e Babagjyshëve, trajnim special për të shpërndarë magjinë e Krishtlindjeve!

Në Londër, magjia e Krishtlindjeve nis shumë përpara 25 dhjetorit. Një shkollë e veçantë ka hapur dyert për ata që duan të interpretojnë Babagjyshin e Vitit të Ri, duke i përgatitur për një nga rolet më të dashura të festave.

E njohur si “Santa School”, kjo shkollë organizon çdo vit trajnime për personat që veshin kostumin e kuq dhe mjekrën e bardhë për të takuar fëmijët në qendra tregtare, aktivitete festive dhe evente të ndryshme.

Por të bëhesh Babagjysh nuk është aq e thjeshtë sa të veshësh kostumin dhe të thuash “Ho, ho, ho!”. Kursantët mësojnë si të flasin dhe të sillen në rolin e personazhit, si të dëgjojnë me vëmendje dëshirat e fëmijëve dhe si t’u përgjigjen edhe pyetjeve më të papritura.

Një pjesë e rëndësishme e trajnimit është edhe komunikimi me fëmijët me aftësi të kufizuara. Pjesëmarrësit njihen me gjuhën e shenjave, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet jashtë atmosferës së festave.

Në program përfshihen gjithashtu njohuri mbi lodrat më të kërkuara të vitit dhe mënyrat se si Babagjyshi duhet të reagojë përballë dëshirave të veçanta të vogëlushëve. Ndonjëherë, këto dëshira nuk lidhen me lodra, por me gjëra shumë më të ndjeshme, si pajtimi i prindërve apo shërimi i një familjari.

Shkolla organizohet nga kompania “Ministry of Fun” dhe ka një traditë prej 28 vitesh. Përmes këtij trajnimi, organizatorët synojnë që çdo Babagjysh të jetë i përgatitur jo vetëm për të argëtuar fëmijët, por edhe për të krijuar momente të paharrueshme për ta.

Sepse pas mjekrës së bardhë, kostumit të kuq dhe dhuratave, fshihet një punë që kërkon përgatitje, durim dhe shumë dashuri për fëmijët.