Qeveria e Kosovës ndaloi tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe, për shkak të vendimit të Serbisë për t’i mbajtur të bllokuara linjat ndërkufitare për tregtim.
Duke folur sot në një mbledhje të kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti tha se Kosova po vendos kundërmasa ndaj Serbisë në fushën e energjisë, sepse “gjendja do të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim” nga shteti fqinj.
Ato përfshijnë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me ndërmarrjet me origjinë nga Serbia, pra, blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, drejtpërdrejt, përmes tranzitit, ose rishitjes.
Kurti deklaroi se Beogradi, nuk e zbatoi kërkesën e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë për t’i zhbllokuar linjat e interkoneksionit ndërkufitar më 1 korrik.
Janë bërë katër muaj e gjysmë që nuk është zbatuar ky vendim i Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, ne e kemi bërë edhe një përpjekje tjetër që përmes Bashkimit Evropian të kemi një zgjidhje të kësaj çështje.
Përmes operatorit të sistemit të transmetimit të saj, EMS, Serbia e ka pamundësuar shfrytëzimin tregtar të interkonjeksioneve që nga viti 2020, sipas zv.ministrit të Tregtisë të Kosovës, Fatban Bunjaku.