Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Napoli të Italisë, ku një pastruese 53-vjeçare dyshohet se ka droguar një çift të moshuarish për t’u vjedhur para dhe sende me vlerë. Gruaja është arrestuar nga Policia italiane, ndërsa ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur në zonën e Piedigrottës. E dyshuara dyshohet se kishte hedhur disa pika medikamenti qetësues në një pjatë me supë fasulesh, të cilën ua kishte shërbyer dy të moshuarve.

Pasi çifti kishte humbur ndjenjat si pasojë e substancës, nga banesa janë zhdukur rreth 50 mijë euro para cash dhe bizhuteri prej ari, me vlerë afërsisht 100 mijë euro.

Hetuesit e Policisë së Shtetit, përmes dëshmive të viktimave dhe analizave të Policisë Shkencore, arritën të identifikonin kujdestaren, e cila kishte nisur punë në banesën e çiftit vetëm pak ditë përpara grabitjes dhe më pas ishte zhdukur.

Kur u lokalizua dhe u arrestua, 53-vjeçarja kishte me vete edhe një shishe me të njëjtin medikament që dyshohet se ishte përdorur për të droguar çiftin. Gjatë kontrollit, asaj iu gjet gjithashtu një dokument identifikimi i falsifikuar, i vlefshëm për udhëtim jashtë vendit. Autoritetet kanë vendosur mbajtjen e saj në burg.