Portieri i Cagliarit, Elia Caprile, ka folur hapur për të ardhmen e tij në futboll, ambiciet për të përfaqësuar Italinë dhe mundësinë që një ditë të veshë fanellën e Kombëtares shqiptare.
Në një intervistë për gazetën “Corriere della Sera”, 23-vjeçari ka rrëfyer vështirësitë që ka kaluar gjatë karrierës, duke zbuluar se në disa momente kishte menduar edhe të hiqte dorë nga futbolli. Që në moshë të vogël, ai është përballur me paragjykime për shkak të fizikut, por dëshira për të provuar të kundërtën e ka ndihmuar të mos dorëzohej.
“Motivimi im më i madh ka qenë gjithmonë dëshira për t'u mbyllur gojën atyre që nuk besonin tek unë. Disa trajnerë silleshin keq me mua. Nuk luaja sepse isha i shkurtër dhe mbipeshë. Në moshën 15-16 vjeç humba disi drejtimin, por dy trajnerë portierësh, Bressan dhe Squizzi, më ndihmuan të gjeja sërish rrugën. Më bënë të kuptoja se futbolli kërkon sakrifica”, tregoi Caprile.
Portieri u ndal edhe te largimi nga Napoli, ku trajneri Antonio Conte i kishte ofruar mundësinë për të konkurruar me Alex Meret. Megjithatë, zgjedhja përfundimtare e teknikut ishte në favor të këtij të fundit.
“Conte zgjodhi Alex dhe bëri mirë, sepse ai fitoi titullin. Por unë isha 23 vjeç dhe kisha nevojë të luaja. Pa ndeshjen e së dielës, më mungonte një pjesë e vetes”, shpjegoi ‘gardiani’, i cili aktualisht e sheh Cagliarin si prioritetin e tij dhe e cilëson aventurën me këtë skuadër si “Championsin” e tij.
Sa i përket çështjes së kombëtares, Caprile nuk e fshehu ambicien për të përfaqësuar Italinë, duke besuar se ka nivelin e duhur për të qenë pjesë e saj.
“Besoj se jam në nivelin e Italisë dhe po e dëshmoj këtë. Duhet të përqendrohem te gjërat që varen nga unë”, u shpreh ai.
Megjithatë, një mundësi tjetër mbetet edhe Shqipëria. Për shkak të origjinës së partneres së tij, Emily, portieri është përmendur si një emër që mund të lidhet me Kombëtaren kuqezi. Caprile sqaroi se deri tani nuk ka pasur asnjë kontakt nga Federata Shqiptare e Futbollit, por nuk e përjashtoi një mundësi të tillë në të ardhmen.
“Deri tani askush nga federata atje nuk më ka kontaktuar. Nëse do ta bëjnë, do ta shqyrtoj si mundësi”, deklaroi portieri i Cagliarit.
Kështu, ndonëse dëshira e tij e parë mbetet përfaqësimi i Italisë, Caprile nuk e ka mbyllur plotësisht derën për Shqipërinë, në rast se në të ardhmen do të ketë një interes konkret nga ana e federatës.
© SYRI.net
‘Më lini të luaj poker në paqe’, Neymar reagon për lidhjen e pretenduar me ish-partneren e Vinicius Junior
Nga Belgjika te Belgjika, Italia është kthyer praktikisht në pikën zero brenda dy muajsh
Alarm te Milani, dëmtohet Maignan në ndeshjen me Turqinë, në pritje të ekzaminimeve mjekësoreBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: