Berisha thirrje Veliajt dhe Spiropalit: Hajdeni bashkohemi të largojmë Ramën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe mungesën e tij në protestën qytetare, duke shpjeguar arsyet përse nuk ishte i pranishëm në tubim.
Në një prononcim për mediat pas paraqitjes në ambientet e Gjykatës së Posaçme (GJKKO), ku zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, Berisha u ndal te ndarja mes protestave qytetare dhe atyre të organizuara nga partitë politike.
Ai deklaroi se Partia Demokratike dhe mbështetësit e saj janë gjithmonë të gatshëm t’u bashkohen protestave popullore, por sipas tij, pjesëmarrja personale në tubimin e fundit do të ishte interpretuar si përpjekje për t’i dhënë atij një karakter partiak.
“Janë dy lloje protestash: ato popullore, në të cilat demokratët janë të parët që marrin pjesë, dhe protestat partiake. Dalja ime do të ishte një akt politizimi për një protestë qytetare”, u shpreh Berisha.
Thirrje për Veliajn dhe Spiropalin: Të bashkohemi për largimin e Ramës
Gjatë komunikimit me gazetarët, kreu i opozitës u pyet edhe nëse kishte një ftesë publike për Erion Veliajn dhe Elisa Spiropalin, pas zhvillimeve të fundit brenda Partisë Socialiste dhe lënies së tyre jashtë disa prej strukturave drejtuese.
Berisha shfrytëzoi rastin për të përcjellë një mesazh bashkimi për të gjithë ata që, sipas tij, e konsiderojnë Edi Ramën përgjegjësin kryesor për gjendjen politike në vend.
Ai deklaroi se përballja me kryeministrin duhet të jetë një objektiv i përbashkët për të gjithë faktorët politikë që ndajnë të njëjtin qëndrim kundër qeverisë.
“Të gjithë faktorët që e konsiderojnë Ramën të keqen më të madhe në historinë pluraliste të Shqipërisë, duhet të bashkohen ta përcjellin një minutë e më parë”, përfundoi Berisha.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



