Romelu Lukaku i jep fund aventurës me kombëtaren belge pas 16 vitesh, katër Botërorëve dhe tri Kampionateve Europiane. Sulmuesi 33-vjeçar njoftoi tërheqjen përmes rrjeteve sociale, duke mbyllur një kapitull që nisi në mars 2010, kur ishte vetëm 16 vjeç.
“Gjatë këtyre 16 viteve kam dhënë gjithçka për kombëtaren. Kam përjetuar çdo emocion të mundshëm. Kam luajtur me shokë skuadre të jashtëzakonshëm, të cilëve do t’u jem gjithmonë mirënjohës. Falënderoj të gjithë trajnerët që më kanë shtyrë përpara dhe kanë besuar tek unë. Ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm, e kam shijuar çdo moment”, – shkroi ai.
Lukaku largohet si golashënuesi më i mirë në historinë e Belgjikës, me 94 gola në 135 ndeshje. Ai ishte një nga protagonistët e brezit që e çoi kombëtaren në vendin e tretë në Botërorin 2018 në Rusi.
“Jam në paqe me vendimin për t’u ndalur këtu. Nuk do t’i harroj kurrë ato momente. Ishte gjithçka e jashtëzakonshme dhe emocionuese. Jam mirënjohës për gjithçka”, – përfundoi sulmuesi.







